“Nuk është..!”

Hadithet e ditës së sotme janë nxitje drejt përsosmërisë së vlerave të besimit, moralit dhe mirësjelljes islame në shoqëri. Ato burojnë nga urtësia e thellë e Resulull-llahut (a.s), i cili, nëpërmjet këtyre fjalëve të goditura përhap gjithandej paqen e Islamit, mëshirën dhe logjikën e marrëdhënieve ndërnjerëzore.

Këto hadithe lexohen me shumë kënaqësi dhe ftojnë në meditim, për të gjetur secili mundësinë e praktikimit të tyre në jetën e përditshme, drejt përsosjes së shembullit të muslimanit në shoqëri dhe konsolidimit të vlerave tëfamiljes së madhe islame dhe asaj njerëzore.

Hadithet në fjalë i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).

Transmetimet e kësaj dite, kanë si bosht kryesor shprehjen: “Nuk është..!”.

1. “I fortë nuk është ai që bën mundje, i fortë është ai që zotëron veten e tij kur nervozohet!” – (Hadithi nr. 7577, f. 464. Ahmedi, Bukhariu dhe Muslimi, nga Ebu Hurejra).

2. “Pasuri nuk është plaçka e kësaj bote, pasuri është pasuria e shpirtit!” – (Hadithi nr. 7579, f. 464. Ahmedi, Bukhariu, Muslimi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh, nga Ebu Hurejra).

3. “Nuk është gënjeshtar ai që pajton në mesin e njerëzve, duke bartuar fjalë të mira e duke përhapur mirësi!” – (Hadithi nr. 7581, f. 464. Ahmedi, Bukhariu, Muslimi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, nga Um Kulthum bint Ukbe. Etj.).

4. “Besimtari nuk është shpifës, as mallkues, as arrogant, as i ulët (në fjalorin e tij)!” – (Hadithi nr. 7584, f. 464. Ahmedi, Bukhariu në “El-Edeb”, Ibn Hibbani dhe Hakimi, nga Ibn Mesudi).

5. “Nuk është prej nesh (ajo grua) që përngjasohet me burrat, as është prej nesh (ai burrë) që përngjasohet me gratë!” – (Hadithi nr. 7678, f. 470. Ahmedi, nga Ibn Amri).

6. “Nuk është prej nesh ai që nxit një grua kundër burrit të saj, a skllavin kundër zotërisë së tij!” – (Hadithi nr. 7682, f. 470. Ebu Davudi dhe Hakimi, nga Ebu Hurejra).

7. “Nuk është prej nesh kush bërtet (në rast vdekjeje), as kush zhgul flokët, as kush shqyen teshat!” – (Hadithi nr. 7685, f. 470. Ebu Davudi dhe Nesaiu, nga Ebu Musa).

8. “Nuk është prej nesh ai që mashtron!” – (Hadithi nr. 7687, f. 470. Ahmedi, Ebu Davudi, Ibn Maxheh dhe Hakimi, nga Ebu Hurejra).

9. “Nuk është prej nesh ai që mashtron një musliman; a e dëmton, a komploton kundër tij!” – (Hadithi nr. 7688, f. 470. Er-Rafii El-Kazvini, nga Aliu).

10. “Nuk është prej nesh ai që nuk mëshiron të voglin tonë dhe që nuk njeh pozitën e të madhit tonë!” – (Hadithi nr. 7692, f. 470. Ahmedi, Tirmidhiu dhe Hakimi, nga Ibn Amri).

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 18 janar 2017