“Do të mbërrijë kjo fé..!”, ose: Asht besa e pathyer!

Kur Hz. Muhammedi (a.s) dha sihariq se do të çlirohej Kostandinopoja, askujt nga të pranishëmve nuk do t’i shkonte ndër mend se fatlumi dhe i bekuari nga lutjet e Lajmëtarit të All-llahut, do të ishte Sulltan Mehmet Fatihu me ushtrinë e tij, shekuj pas dhënies së atij sihariqi të bekuar!

Nga ana tjetër, vullneti për ta dëshmuar sihariqin me zemër e vepra konkrete, në rrugën e realizimit të tij, nuk e ndaloi plakun e urtë, sahabiun e dashur, Ebu Ejjub El-Ensari, të marshonte nën komandën e Jezid ibn Muavijes, për të dorëzuar shpirtin në muret e Kostandinopojës në moshë të thyer, aty ku sot, ndodhet një ndër mezaret më rrezatuese të paqes dhe shpirtit, në Stamboll!

“Do të mbërrijë kjo fé, ku ka mbërritur nata dhe dita!”, dëshmohet të ketë thënë Resulull-llahu (a.s), që nuk thotë, as paralajmëron, vetëm se të vërtetat e mëdha..!

Pyetja që lind vetvetiu është: Ku jam unë si musliman me këtë tekst, në rrugën e ngritjes dhe angazhimit për të qenë një thirrës i urtë islam, në rrugëtimet e përhapjes së kësaj feje të shtrenjtë, kudo ku ka mbërritur nata dhe dita?

E vërteta është se, sa herë që shkel në tokën helvete, aq më tepër bindem për rolin e madh dhe të pashembullt të shqiptarëve në përhapjen e Islamit në këtë tokë, por jo vetëm!

Është mrekulli e papërshkrueshme, të shohësh dhe të prekësh nga afër numrin e madh të xhamive shqiptare në Zvicër, të rinjtë e shumtë shqiptarë, që përherë e më shumë shtohen, duke bërë që shpeshherë, Bashkësitë Islame Shqiptare, të detyrohen të ndërrojnë ambiente, sepse xhemati e ka tejkaluar realitetin e përkufizuar nga muret e faltoreve, këtu në këtë vend!

Kjo është një myzhde e madhe edhe për këtë vend, që ia ka hapur dyert e pranimit dhe integrimit edhe shqiptarëve, ndër dekada, duke u dëshmuar si një ndër modelet më të spikatura të respektimit të diversitetit fetar, etnik, kulturor e kombëtar, deri në këtë ditë!

Sot, ata dëshmojnë madhështinë e sihariqeve të shkuara, nëpërmjet shfaqjes së shembullit të tyre si përhapës me vepra konkrete, të Dritës së mësimeve islame! Këta janë shqiptarë, me të cilët, të gjithë duhet të krenohemi!

Sot, pata rastin të fal namazin e mesditës me xhematin e madh në numër të Bashkësisë Islame Shqiptare në Zyrih. Me ftesën bujare të imamit të nderuar të saj, mbajta edhe një ligjëratë nga kursija e kësaj xhamie të madhe.

Është emocion i madh, kur mendoj se në një ditë të bukur, në një atmosferë të ngrohtë besimi, aty në zemër të Zyrihut, po flisja shqip përpara qindra të pranishëmve shqiptarë, në një ndeje besimi, si të isha në xhaminë e Fushë Çelës, Parrucës, a cilësdo xhami të madhe në hapësirat, ku ka mbërritur nata dhe dita!

Një natë më parë, ishim bashkarisht, muslimanë dhe të krishterë, shqiptarë e zviceranë, për të festuar në harmoni të plotë diversiteti dhe respekti të ndërsjellët, 20 vjetorin e xhamisë shqiptare në Affoltern am Albis!..

All-llahu ekber! Ne shqiptarët muslimanë, vazhdojmë të rendim e të mos ndalemi, në rrugëtimet tona të sinqerta dhe krejtësisht natyrale, në rrugën e realizimit të atij hadithi të madhërishëm, që na qarkullon në gjak e gene, si një bekim për ne dhe shoqëritë ku jetojmë a, kudo ku thirremi ta kryejmë këtë mision rimëkëmbjeje!

Asht besa e pathyer..!

Imam Muhamed B. Sytari
Zyrih, më 5 shkurt 2017