
“Nana ka qenë si baba! Përpara te ne, nana ka qenë si pamja e dytë e babës, dmth. kopja e tij! Baba interesohej për faljen tonë, duke na folur pasi ai, nuk rrinte përherë me ne, ndërsa nana interesohej për zbatimin e urdhrave të babës.
Po ashtu edhe për sjelljen me njëri- tjetrin, pasi baba, siç thashë nuk kishte kohë të rrinte përherë me ne, sepse ishte imam në Kuç, nja 10 km larg Shkodrës, pastaj vinte Ramazani dhe mësimet që jepte në xhaminë e Pazarit dhe në atë të Garucit se lejonin të rrinte shumë kohë me ne. Kështu që nana ishte kopja e tij.
Atë që ai dëshironte, ajo na urdhëronte për ta bërë në jetën tonë. Gjithmonë ka qenë e pastër, na ka mësuar të jemi të tillë, me e dashtë njëri- tjetrin, me punu atë që i pëlqen Zotit (xh.sh). Pastë rahmet, ende s’është bërë viti, që kur më ka vdekur nana ime, në moshën 103 vjeçare”.
M’u kujtuan këto fjalë të mbushura me respekt, mirënjohje dhe përulje të Hoxhës, rahmet pastë, për nanën e tij të shtrenjtë. E kujtoj, një herë në Damask, pata trokitur në shtëpinë e vjetër të H. Sulejman Gavoçit. Nana plakë e H. Vehbi Gavoçit ishte aty, pas dere. M’u përgjigj në shqip, edhe pse akoma nuk kisha folur asnjë fjalë…
M’u kujtuan këto fjalë, që peshojnë shumë, sidomos në një kohë, kur pozita e Nanës ka pësuar një lëkundje të frikshme në shoqërinë tonë shqiptare. Shumë prej vajzave dhe nënave të reja në moshë, tërhiqen, si në heshtje, drejt shthurrjes, drejt lokaleve dhe bareve, drejt kafeneve dhe daljes nga shtëpia, larg fëmijëve, larg burrit, larg përgjegjësive, larg pozitës më të lartë në jetë, Mëmësisë!
Femra është krijuar në një pozitë të lartë, i është dhënë një pozitë më e lartë se kujtdo tjetër në jetë; mëmësia, edukimi, përgjegjësia, pastërtia, përkujdesja dhe morali!
Rahmet pastë Hoxha, krejt fjalët e tij ishin udhëzim dhe urti, dije dhe lartësim shpirtëror..!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 10 shkurt 2017
(Këshillë xhumaje)