Ne, muslimanët, jemi ndërtues të urave të shpresës në jetë!

Nganjëherë, mjaftojnë pak fjalë për të dhënë një mesazh. Nganjëherë, shumë mesazhe vlejnë më pak se heshtja. Nganjëherë heshtja peshon ar e flori, sikurse nuk ka asnjë vlerë, në një moment, kur fjala bën dallimin!

Shpesh flasim e flasim, shkruajmë e shkruajmë me shpresën e përhapjes së një vlere, mbjelljen e shpresës dhe optimizmit, largimin e pesimizmit dhe hirtësive, me të cilat rrethohet jeta e njeriut me labirinthet e saj…

Shpesh, fjalët keqlexohen, sikurse edhe keqkuptohen, por edhe keqinterpretohen, sipas kapacitetit intelektual e shpirtëror, pastërtisë e sinqeritetit, dashamirësisë a të kundërtës së saj, dijes a padijes, urtisë a dritëshkurtësisë.

Arabët thonë se, fjala më e mirë është e pakëta, udhërrëfyese! Sikurse thonë se: “Inxhinieria më e shkëlqyer dhe më e bukur në botë është të ndërtosh një urë shprese mbi një lumë pesimizmi!”

Pikërisht kjo është meseleja! Tek ne, në Islam, pesimizmi është i barabartë me femohimin! Me fjalë të tjera: Sado që Zoti ynë është Krijuesi i gjithësisë, sado që ne rrugëtojmë me dashninë e Tij drejt pëlqimit të Tij, asgjë s’na dëmton, asgjë s’na ndal, asgjë s’na mposht!‬⁩

Ne, muslimanët, jemi ndërtues të urave të shpresës në jetë!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 9 shkurt 2017