Në kohë sprovash, nëse ul kokën nga presionet, e ke humbur davanë!

“Në kryerjen e një detyrimi nga detyrimet e tua islame, të del përpara dikush që ta prish punën, të dalin përpara ziliqarë, të del përpara dikush që të lëndon në trupin tënd, në pasurinë tënde, në imazhin tënd, në nderin tënd!

Natyrshëm, egoja përherë largohet nga këto lëndime, sepse ajo nuk do që dikush t’i prekë fisnikërinë e saj, krenarinë e saj, pasurinë e saj, a ta lëndojë në trupin e saj…

Ndërsa ndjenja e fesë të thotë se duhet të durosh për hatër të All-llahut, për të fituar pëlqimin e Tij, prandaj, edhe pse këto fenomene janë lënduese, por ti prap se prap ndjen kënaqësi, e cila lind si pasojë e faktit se rezultatet e këtyre dhembjeve janë fitim! Njësoj si mjeku, kur të jep një gjilpërë, e cila të dhemb, por njëkohësisht të krijon një gjendje lumturie, sepse ti e di mirë se ajo do të të bëjë dobi..!”

E lexoj shpesh këtë citat të Hoxhës tonë, Shejkh Ahmed Keftaro dhe mendoj për realitete paradoksale me të cilat përballemi ne si popull, si komb, e në veçanti ne si muslimanë!

Ka shumë padrejtësi, ka shumë injorancë, ka shumë shkelje, ka shumë mentalitet të dhunshëm, që buron nga indoktrinimi i qëllimshëm me histori e legjenda të trilluara, me të pavërteta të mëdha, me ujitje të urrejtjes dhe ndasive, përçarjes dhe tendencave konfliktuale për hiçgjë etj.

Nga ana tjetër, ka shumë mungesë cilësie në atë që u serviret masave në emër të fesë. Ka mungesë pjekurie e largpamësie në institucionet tona. Ka një frymë, që hera-herës tenton të mohojë dhe veten, vetëm e vetëm të fitojë ca “pikë” tek tjetri, për shkak se tjetri ka diçka të përkohëshme në dorë!? (Ky është mjerim i madh!) Pastaj, edhe pse fitimi i “pikëve” mund të shoqërohet me kosto dinjiteti, kjo nuk përbën pengesë!? (Kjo situatë më kujton hadithin: “Kur çështja t’i lihet në dorë jofamiljarëve të saj, prisni kiametin!”, pra kiametin dhe shkatërrimin e asaj çështje!? Si shumë e shumë çështje që lidhen me dinjitetin dhe krenarinë, pozitat dhe frymën, që ne si muslimanë i kemi humbur, mealesef!)

Është kohë sprovash! Dhe, në kohë sprovash, nëse ul kokën nga presionet, e ke humbur davanë!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 8 shkurt 2017