Si sonte, katër vite më parë, një prej njerëzve të afërm të shoqërisë sime të vjetër, më lajmëroi se në Sharika të Emirateve, sapo kishte ndërruar jetë Hoxha.
Dhembje të madhe i shkaktoi zemrës ky lajm! Edhe sot e kësaj dite, mungesa e tij fizike, këshillat, fjalët e urta dhe shumë të matura, butësia, largpamësia dhe dëshirta e mirë e bashkëpunimit deri në unitet të plotë të muslimanëve, dhembja e zemrës për fatet e Shqipërisë së katandisur në gremina, Shkodërloces së nëpërkëmbur e të keqtrajtuar, lutjet për fuqizimin e vetëdijes islame tek populli ynë dhe mbarë ymmeti, më mungojnë pa fund! Sepse Hoxha, ishte i pashembullt!
Në telefonatën e fundit, fare pak ditë para 19 shkurtit 2013, zotnia e tij mezi fliste. I ishte rënduar frymëmarrja, që bashkuar me lëndimin shpirtëror për gjendjen e mjerë për Sirinë e shpirtit, jehonte si një lutje e përgjëruar që përhapet në horizontet e fshehta të botës së Dritës…
Sot, iu riktheva monografisë dhe kujtimeve të vjetra. Lexova dhe risolla në kujtesë shumë e shumë. U ndala tek një Dëshmi zemre, që për mua peshon sa krejt dëshmitë e botës në hak të Hoxhës! Dëshmia e Hoxhës për Hoxhën! Dëshmia e të urtit, Shejkh Ahmed Keftaro për të mirin Shejkh Vehbi S. Gavoçi…
Ja sesi i përgjigjej Kryemyftiu i zemrës, kërkesës sime për një mendim rreth Hoxhës…
“Bismil- Lahirr- Rrahmanirr- Rrahim
Republika Arabe e Sirisë
Kryemyftiu i Republikës
Thotë All-llahu (xh.sh): “Po All-llahut ia kanë frikën nga robërit e Tij, vetëm dijetarët!” – (Fatir: 28).
Thotë Profeti (a.s): “Dijetarët janë trashëgimtarët e Profetërve!” – (Ahmedi e shumë të tjerë nga Ebu Derdai).
Me të vërtetë se të folurit për një dijetar nga dijetarët e ymmetit është shpalosje e një faqeje të ndritshme e të shkëlqyeshme nga faqet e dijes, besimit dhe punës së mirë, pasi e vërteta nuk mund të dalë në shesh vetëm se nëpërmjet përfaqësuesve të saj.
Dhe kur flas për Hoxhën e nderuar dhe dijetarin punëtor, vëllanë tim Hirësinë e Tij, Vehbi Sulejman Gavoçi, i cili e mori diturinë fetare nga shkollat e saj më të mëdha në botë, Ez’heri Sherif, them se ky dijetar edukator është argument në dije e njohuri si dhe shembull në misionin islam dhe në mirësjellje.
Ai është edhe një ndriçues i shkëlqyer për studentët e dijes dhe misionarët, duke përgatitur shpirtrat e tyre me edukim dhe pastrim, për të qenë në lidhje të pastër me Zotin e tyre.
Meqenëse ky ymmet është pjellor dhe jo shterpë, gjë për të cilën na sihariqoi edhe Profeti (a.s), duke na thënë: “Me të vërtetë që All-llahu (xh.sh) dërgon në këtë ymmet, në krye të çdo njëqind vjetëve, kë t’i rinovojë atij fenë e tij!” – (Ebu Davudi, Hakimi dhe Bejhakiu nga Ebu Hurejra).
Hirësia e Tij Shejkh Gavoçi, është prej burrave të shkollës së reformës konform besimit të Ehli Synneti vel-Xhemaas, prej të parëve tanë të ndershëm, e mbron të vërtetën, punon për t’u realizuar e vërteta, punon në rrugën e vërtetë dhe shpreson tek shpërblimi i All-llahut, Të Vërtetit.
Për këtë, ai ka pasur një ndikim shumë të mirë te studentët e dijes së ndershme, të cilët mbajnë për të, në zemrat e tyre, dashurinë e nderimin, për të mirat që u jep, materialisht dhe moralisht, duke dhënë në këtë mënyrë imazhin e shembullit të lartë e të mirë, për të gjithë ata që e duan dhe bashkëpunojnë me të, sepse dijetari punëtor është shembull në këtë kohë që fjalët janë shtuar dhe punët janë pakësuar.
Prej këtu them se prej virtyteve të Hirësisë së Tij, Shejkh Vehbi Gavoçit është edhe largimi nga fanatizmi, pasi ai ka jetuar në shoqëri të ndryshme islame në shumë prej vendeve, në të cilat ka punuar në mësimin e fesë dhe Thirrjen Islame.
Prandaj është prej besnikërisë dhe nderimit që studentët e Hoxhës dhe nxënësit e tij, të shkruajnë për historinë e jetës së tij, përfshirë këtu edhe pikënisjet shkencore, qëndrimet propagandistike dhe stacionet e edukimit.
Kësaj pune, për të shkruar për mësuesin dhe hoxhën e tij Shejkh Vehbi Gavoçin, i parapriu djali im i zemrës Shejkh Muhamed Sytari, i cili është prej studentëve të Universitetit tonë islam dhe i diplomuar në Fakultetin e Thirrjes Islame, në Damask dhe i cili mbart në vete cilësi të mirësisë dhe besnikërisë, dijes, njohurisë dhe urtësisë, gjë që e bëri të shkruajë këto faqe të ndritshme, për një dijetar nga dijetarët e Islamit, Hirësinë e Tij, Vehbi S. Gavoçi. Për të qenë pishtar ndriçues dhe shkëndijë shkëlqyese në rrugën e misionarëve dhe udhëzuesve drejt qëllimeve fisnike dhe synimeve të mëdha: Gjetjen e njeriut musliman, i cili është bërthama e parë e familjes muslimane, shoqërisë islame, shoqëri e besimit dhe moralit, shoqëri e vëllazërisë besimore të sinqertë, shoqëri e mëshirës dhe bamirësisë, shoqëri e dashamirësisë dhe mirënjohjes, për të qenë pasardhësit vazhdim i paraardhësve të ndershëm, në qëllim, fjalë e punë.
Pasi vetëm kështu mund të vazhdojë kjo thirrje islame, të cilën nuk ka forcë në botë që ta ndalojë apo të ndikojë në të, pasi burimi i saj është i fortë dhe degët e saj janë të ruajtura në qiell, me mburojën e All-llahut (xh.sh): “Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij” – (El- Hixhr: 9).
I lutem All-llahut (xh.sh) që ta ruajë Shejkh Vehbi Gavoçin, të lumtur me shëndet dhe begati dhe ta përhapë dobinë e tij për Islamin dhe t’i shpërblejë studentët e tij për këtë punë fisnike.
“Dhe thuaj: “Veproni, All-llahu do ta shohë veprën tuaj, edhe i dërguari i Tij e besimtarët” – (Et-Teube: 105).
Vel hamdu lil-lahi rabbil-alemin
Shejkh Ahmed Keftaro
Myfti i Përgjithshëm i Rep. Arabe Siriane
President i Këshillit të Lartë të Fetvasë”
All-llahu i Madhëruar e pastë në rahmetin e Tij, Hoxhën dhe e bashkoftë me vëllezërit e tij dijetarë, edhe me “hanefitë e mirë”, sikurse e përsëriste shpesh në derset e tij, si dhe me Zotërinë e bijve të Ademit, Pejgamberin tonë të Shtrenjtë, Hz. Muhammedin (a.s), që sa shumë e donte dhe sa shumë na mësoi ta donim…
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 19 shkurt 2017