Lërja krijesat Krijuesit dhe jeto kaderin tënd..!

Po lexoja mbi marrëdhëniet e njeriut me veten, jetën, shoqërinë, ndërtimin e urave, mostolerimin e të keqes, hapjen ndaj alternativave të ndërtimit e shumë më shumë se kaq.

Më tërhoqi ky udhëzim: “Jeto i vetëm, jo i vetmuar! Jeto i madh, jo i pushtuar nga madhështia! Jeto për All-llahun dhe jetën jepe për Të! Krijesat lërja Krijuesit!”

Të jetosh i vetëm, do të thotë të rrugëtosh drejt Tij, edhe nëse krejt bota të braktis; me përulje dhe modesti, duke i mbyllur derën në fytyrë, shejtanit me parti!

Të jetosh i madh, do të thotë të mbështetesh në pragun e Emrave të Tij, duke e parë botën shumë të vogël për të të dëmtuar, shumë të madhe për të merituar mjaftueshëm shërbimet e tua plot përkushtim!

Të japësh jetën për All-llahun, do të thotë të punosh pa ndërprerje, deri në frymën e fundit, në rrugën e vlerave të besimit, që jetojnë dhe lulëzojnë në krahët e të përkushtuarve me bindje, që jetën e jetojnë për All-llah, sa t’ua ketë caktuar atë!

E, përsa i përket krijesave, nuk ka gjë më të mirë sesa të heqësh dorë nga menaxhimi i fateve të tjerëve dhe gjykimi i tyre, pasi ti vetë je një krijesë e kufizuar, e pamundur të bëjë role të painterpretueshme në jetë…

Lërja krijesat Krijuesit dhe jeto kaderin tënd..!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 6 prill 2017