“Besimtari, përherë e ka zemrën e qetë…”

Po lexoja Dr. Mustafa Mahmudin, njërin ndër autorët e preferuar të leximeve të mia të lira, viteve të studimit në Damask. Akoma sot, shoh me nostalgji librat e tij me kopertinat karakteristike, që në qetësinë e tyre i shtojnë prezencë dhe prekje mistike odës së qitabeve…

Më ka pëlqyer përherë liria e tij, zhveshja nga komplekset, natyrshmëria në trajtimin e çështjeve, duke mos harruar asnjëherë, se ai nuk ishte as fakih, as mufesir, as muhadith, as usulist…

Ka një përshkrim të përmbledhur në pak fjalë mbi personalitetin e besimtarit dhe botën e tij, që më tërhoqi ta mbaj shënim. M’u shtua edhe më shumë kjo dëshirë e përkthimit të këtij fragmenti, meqë sot flitet poshtë e përpjetë për Islamin dhe muslimanët, besimtarët; nuk ngeli njeri pa e nxjerrë gjuhën jashtë..!?

Thotë: “Besimtari, përherë e ka zemrën e qetë, jeton në prehje të brendshme, është i mbushur me dashamirësi, mëshirë, durim, falënderim, butësi, dhembshuri, delikatesë, falje, pranim dhe kënaqësi!”

Rahmet pastë Dr. Mustafa Mahmud, intelektuali mendjehapur, njeriu i eksperiencave të hidhura në jetë, burri i urtë, autori karizmatik e sfidues i barrierave të tabuve..!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 7 prill 2017