Padija dhe izolimi, si vrastar të fesë!

“Shpjegimi i vërtetësisë së thelbit të Islamit, teksa vendoset shenja e barazisë në mes tij dhe në mes të asaj që ndërmerret në emër të tij, nga shkatërrimi i njeriut; intelektualisht dhe moralisht, është obligim i kohës për njerëzit e dijes!”.

E lexova këtë udhëzim dritësues nga thirrësi i afirmuar jemenit, Ali El-Xhifri dhe thashë me vete, se sa e rëndësishme është që thirrësit islamë të kohës, të lartësohen në dy drejtime: fillimisht në kuptimin e vetë qëllimeve të fesë dhe detajeve të saj udhëzuese, pastaj të rriten në nivele elitare, në prezantimin e këtyre qëllimeve dhe vlerave nëpërmjet korrektësisë dhe seriozitetit në përhapjen e tyre.

Për këtë, nuk ka pse të habitemi sot, kur shohim sesi padituria fetare, përmbysja e kupave të prioriteteve, shfrenimi i gjuhës për të folur kushdo, kurdo e sido rreth fesë, kanë krijuar një klimë të çuditshme të marrëdhënies së masave me fenë.

Përtej lobeve islamofobe dhe paranojës shekullore të dikujt, që marrëdhënien e tij me Islamin e ka krijuar mbi bazat e urrejtjes së pandreqshme, mendoj se një pjesë shumë të madhe të fajit në etiketimin e Islamit me lloj-lloj pavërtetësishë të refuzuara, e kemi edhe ne muslimanët; veçanërisht një grup i caktuar thirrësish; të izoluar në botën e tyre plot mitologji, a të ngushtuar në një qoshk, ku nuk ka vend, veçse për një takam të treguar me gisht, a dorëlëshuar në emër të lirisë dhe moslidhjes me obligime e detyrime fetare a shoqërore!?

Këta dhe ata, mendoj se janë shkak i rrëshqitjes në padije e izolim, që Islami i ka refuzuar dhe i refuzon prej shekujsh!

Mungesa e institucioneve të pjekura me kuadro kompetentë, largpamës, thellësisht thirrës islamë, jo ndryshe, si dhe mungesa e aftësisë për të krijuar ura komunikimi dhe hapjeje ndaj botës islame, në veçanti e pjesës tjetër në përgjithësi, krijon modele të padenja për përfaqësimin e mendimit islam elitar, a shpjegimin bindës të vërtetësive të përbaltura të tij në këtë kohë. Vallahu alem!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 8 prill 2018