“Zoti im, Ti je qëllimi im dhe pëlqimi Yt është kërkesa ime!”…

Të shumta janë hadithet që flasin për vëllazërinë e pastër e të sinqertë, që buron nga besimi dhe madhështia e tij. Është lidhje e veçantë, bart sekrete të mëdha të dashnisë për hir të All-llahut, të dërguarit të Tij, Islamit… Ajo dominon mbi çdo vëllazëri e lidhje tjetër në këtë botë, sepse nuk ndërtohet as bazohet mbi interesa materiale, as mbi dëshira kalimtare… Kushtetuta dhe ligjet e saj fillojnë dhe përfundojnë në një formulë të shtrenjtë: “Zoti im, Ti je qëllimi im dhe pëlqimi Yt është kërkesa ime!”…

Hz. Omeri (r.a) tregon, se i dërguari i All-llahut ka thënë: [Prej robëve të All-llahut, janë disa njerëz, të cilët nuk janë profetë, as shehidë, por edhe profetët, edhe shehidët ua kanë zilinë për mirë në ditën e kiametit, për afërsinë e tyre me All-llahun e Madhëruar.” – E pyetën: Kush janë këta, o i dërguar i All-llahut? Tha: “Një grup njerëzish që janë dashur për hatrin e All-llahut, pa pasur lidhje farefisnore, as lidhje ekonomike! Pasha All-llahun, fytyrat e tyre do të jenë nur dhe ata vetë do të jenë në nur! Nuk do të frikësohen, kur njerëzit të frikësohen, as do të dëshpërohen, kur njerëzit të dëshpërohen” dhe lexoi ajetin kur’anor: “Nuk ka dyshim se eulijatë e All-llahut, nuk do të kenë as frikë, as dëshpërim” – (Kur’ani, Junus: 63)] – (Ebu Davudi, nga Hz. Omeri)

Ky përkufizim i shtrenjtë dhe shumë i dashur për zemrat besimtare, më përfshiu emocionalisht gjatë gjithë ditës së djeshme, teksa po lëvizja në drejtim të Sant Gallenit, për t’u takuar me imamin dhe xhematin e xhamisë shqiptare “El-Hidaje”…

Më herët, këto emocione më pushtuan, teksa, në një nga rrethinat e Kradolfit, u rrethova nga mirësia dhe dashnia e sinqertë e vëllezërve të mi të Forumit të Rinjve Muslimanë, dhe kryetarit të tij, që kishin dalë në një piknik me familjet e tyre, në një fundjavë besimi… Ishte një atmosferë, ku dominonte prehja dhe qetësia shpirtërore, buzëqeshjet, shpirti i kësaj vëllazërie të shenjtë islame me bukurinë e tij, thjeshtësinë e natyrshmërinë e pakompleksuar…

Ndërkohë, në derë të “El-Hidajes”, (që më ngjau me derën e shtëpisë sime), më priste imami me një grup të nderuar të xhematit të kësaj xhamie… U përqafuam, u uruam, u lutëm e u falëm së bashku… U bashkuam në hallkat e nasihateve dhe përshpirtjeve, që na lidhën dorë për dore e zemër për zemër, në kërkim të kënaqësisë së Zotit tonë nëpërmjet lutjes…

Ishin momente, kur bota nuk vlente as më pak e as më shumë sesa një dritë gëzimi në sytë tanë, që vështronim shenjat e pranimit, nëpërmjet sekreteve të vëllazërisë sonë të shenjtë…

Ishin momente, kur të gjithë pa përjashtim luteshim, që kjo lidhje e sinqertë të na dritësonte në rrugëtimet e kësaj bote dhe stacionet e të përtejmes…

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 23 maj 2016