“Ç’lidhje kam unë me këtë punë?!”…

Ditën e sotme, shoku im i vjetër i studimeve, Dr. Murhaf Sekka, kishte postuar këtë shënim nga libri me titull: “Mekalatul-Keutheri”, duke sjellur në vëmendjen tonë një ngjarje nga jeta e Shejkhul-Islamit Muhammed Saduddin (v. 1024 h.), i 24-ti Shejkhul-Islam i hilafetit tonë osman, në kohën e Sulltan Ahmed Hanit 1-rë (v. 1026 h.).

Ndodhinë në fjalë kam dëshirë ta përkthej dhe ta ndaj me ju, me dëshirën e mirë të dobisë.

“Muhammed Saduddini është personi, të cilit Sulltan Ahmedi i parë (ndërtuesi i asaj xhamie kryevepër me gjashtë minare, afër Aya Sofisë), i dërgoi sekretarin e tij më të afërt, me një letër, me shkrimin e vetë Sulltanit, ku e pyeste: “Cili është ai defekt i jashtëzakonshëm në përbërjen e shtetit dhe çështjet e popullit, në raport me triumfin e premtuar për ymmetin tonë?”

Shejkhul-Islami e mori letrën e Sulltanit nga sekretari i tij i afërt dhe ia ktheu përgjigjen në të njëjtën letër, duke e zgjatur shkronjën “b” të fjalës: xhevab (përgjigje), si zakonisht në fetvatë e tij: “Ç’lidhje kam unë me këtë punë?! Shkroi Muhammed Saduddin!”

Kur letra mbërriti në Pallat, Sulltani e lexoi dhe u zemërua jashtë mase, duke e konsideruar përgjigjen si mosvlerësim të letrës nga Shejkhul-Islami. E kërkoi të prezantonte menjëherë para tij!

Kur Shejkhul-Islami mbërriti, Sulltani nisi ta qortonte me të madhe, në kundërshtim me rregullin e trajtimit të pozitës së Shejkhul-Islamit. I tha: “Si më shkruan se nuk të intereson dhe e neglizhon përgjigjen për një çështje që mua më intreson?”

Shejkhul-Islami u përgjigj: “Përkundrazi, unë iu përgjigja me imtësi pyetjes së Zotërisë sonë Sulltanit!

Sepse, kur përkujdesja e pushtetarëve dhe individëve të shoqërisë të përqendrohet vetëm tek interesi personal, pa u shqetësuar për atë që dëmton masën a sjell dobi për ta, në bazë të arsyetimit: “Ç’lidhje kam unë me këtë punë?!”, atëherë do të kaplojë e keqja dhe do të përhapet anarshia. E gjitha kjo për shkak të përqendrimit të tyre tek interesi personal, larg interesit të përgjithshëm!”

Kur Shejkhul-Islami e shpjegoi domethënien e përgjigjes së tij, Sulltanit i pëlqeu shumë dhe u turpërua prej tij për qortimin e bërë. Njëkohësisht vrapoi ta korrigjonte veprimin e bërë dhe njëherazi i dhuroi dijetarit të kohës, tre xhybe të mira, në shenjë respekti dhe nderimi për urtësinë e tij.

Ndërkohë, ajo fjali: “Ç’lidhje kam unë me këtë punë?!”, pavarësisht fjalëve të saj të pakëta, mbetet sëmundja e sëmundjeve në shfaqjen e defekteve në çdo kohë!”

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip,
shoqëruar me ca shënime anësore:

Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 24 maj 2016