Thirrja e amanetit… -1-

(Shënime të grumbulluara nga trashëgimia e hoxhallarëve të Shkodrës)

Me mbarësinë e All-llahut, sot po nis këtë cikël të ri me shkrime e kujtime, gjurmë e këshilla, nga trashëgimia e pashpalosur e hoxhallarëve të nderuar të qytetit tim, gjurmët dritësuese të cilëve, më ftojnë dhe më thërrasin që të mos hesht dhe mos ta fsheh Amanetin e tyre, i cili rrezaton mirësi, dije, paqe e bekim mbi Shkodër e mbarë botën.

Zgjodha ta nis këtë cikël të ri me shënime mbi jetën dhe gjurmët e tyre, pikërisht sot, si një sinjal i fshehur pas rreshtave, që dëshmon se gjurmët e të mëdhenjve rrezatojnë përherë drejt të Vërtetave të mëdha, teksa faraonët ngelen gjurmë e zezë e të kaluarave të hirta dhe skutave të errëta të shpirtrave të humbur!

Hoxhallarët tanë, rahmeti i All-llahut i mbuloftë, ishin elitë, që punuan në heshtje, u përballën me lloj-lloj sprovash, duruan, triumfuan, emrat e tyre u skalitën në përjetësi, si mbrojtës të besimit dhe dijes, përhapës të moralit dhe vlerave, elitë e dinjitetit kombëtar dhe amaneteve shekullore, që njeriun e mësojnë dhe e edukojnë të jetojë si NJERI!

1.
Vargje për librin…

I tha Es-Sejjid Esh-Sherif El-Xherxhani, Imam Teftazanit, në vargje:
“Mos e ndalo librin që hua të kërkohet,
Kopracia për njeriun turp është!
A s’e ke dëgjuar hadithin që transmetohet,
Shpërblimi i kopracisë tek All-llahu, zjarr është!?”

Ia ktheu Imam Teftazani, po në vargje:
“O ti kërkues i librave, lermë,
Se huazimi i të dashurit, turp është!
I dashuri im në këtë botë, libri është,
Të jepet hua i dashuri, turp është!?”

2.
Rrugët e vilajetit

“Besimtari arrin në gradën e vilajetit me një nga tre mënyrat e mëposhtme: me leximin e librave, me dashurinë në All-llah dhe me pasimin e një murshidi!”

3.
Katër porosi nga katër Libra të shenjtë

[Kam përzgjedhur katër porosi nga katër libra të shenjtë: Nga Teurati: “Kush heshti, shpëtoi!” Nga Inxhili: “Kush u bind me atë që ka, u ngop!” Nga Zeburi: “Ai që la veten, shpëtoi nga të metat!” Nga Furkani (Kur’ani): “Ai që mbështetet tek All-llahu, Ai i mjafton!”]

4.
I dashuri që nuk fshihet…

Mbi faqen e brendshme të një libri në gjuhën arabe, kam gjetur të shkruar këto vargje, me shkrimin e të quajturit Hafiz Sulejmani, i biri i Muhamedit:

“Bukuria jote para syve të mi, kujtimi yt në gjuhën time,
Dashuria jote në zemrën time. E, ku të fshihesh?
I dashuri mund të fshihet nga sytë e trupi im,
Por, nga zemra ime, asnjëherë i dashuri nuk fshihet!”

5.
Frika nga vdekja…

Në një nga librat e bibliotekës së Hafiz Ibrahim Repishtit, kam gjetur të shkruar në gjuhën arabe, me shkrimin dhe firmën e tij, këtë shënim: “E kam blerë me pak të holla dhe frikësohem nga vdekja kur të më vijë”.

Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 11 prill 2017