
6.
Armiqësia nga hasedi
Kam gjetur të shkruar në gjuhën arabe, me shkrimin e Adem ef. Vehbiut, Myfti i Shkodrës, këtë shënim: “Çdo armiqësi mund të shpresohet shuarja e saj, përveç armiqësisë që lind nga hasedi (smira)”.
7.
Shërimi i ahmakut
Me shkrimin e Hirësisë së Tij, Adem ef. Vehbiut, në gjuhën arabe, kam gjetur edhe këtë shënim: “Ka thënë Isai alejhis-selam: Nuk pata vështirësi të ringjall të vdekurit, por isha i paaftë të shëroj ahmakun!”
8.
Dhikri me Kur’an
Me shkrimin e dorës së dijetarit të njohur shkodran Hafiz Sheuqet Boriçi, kam gjetur edhe këtë shënim në gjuhën arabe: “Ka thënë Imam Shatibiu (rahmet pastë): Atij që Kur’ani i zë gjuhën, do të arrijë të plotë shpërblimin e dhakirinëve!”
9.
Degë të një familjeje…
Me shkrimin e dorës së hoxhës shkodran Hafiz Myrteza Vuci, kam gjetur të shkruar edhe emrin e tij, në vargun e pemës së tij gjenealogjike, fenomen që e kam hasur edhe në shënimet e hoxhallarëve të tjerë të shkuar, si: H. Halid Bushati, H. Halil Puka, H. Muhamed Bekteshi, H. Vehbi Gavoçi etj.
Në shënimet e H. Myrteza Vucit, është edhe ky varg emrash: “Myrtezai, i biri i Abdull-llahut, i biri i Mustafait, i biri i Hamzait, i biri i Bekër (Beqir) Vucit”.
10.
Jasin…
Me shkrimin e dorës së dijetarit shkodran Hafiz Adem Kazazi, kam gjetur të shkruar besmelenë (bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim) dhe ajetet e para të sures “Jasin”, shoqëruar me shënimin: “Posedues, Hafiz Adem Kazazi”.
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 12 prill 2017