Vdekja, ky cak i paevitueshëm drejt së përtejmes..!

Vdekja, ky cak i paevitueshëm drejt së përtejmes..!

Lexova sot, një fjalë të presidentit turk, Rexhep Taip Erdoğan, ku në mes të tjerave thoshte: “Presidenti i Republikës dhe kushdo tjetër, do të vdesë; nesër, a pasnesër, a në një kohë tjetër! Do të varrosem në një varr të ngushtë dhe do ma thërrasin emrin (gjatë telkinës), të zhveshur nga emërtesat, posti dhe gradët! Prandaj, duhet të bëjmë vepra të mira dhe të jemi të thjeshtë!”

Kjo shprehje e tij më solli ndër mend porosinë e madhe, që na e përkujton Resulull-llahu (a.s), kur thotë: “Shtojeni përkujtimin e asaj që ju prish kënaqësitë (e kësaj bote kalimtare); vdekjes!”

Kur’ani na mëson: “Ti (o Muhammed) do të vdesësh, edhe ata do të vdesin!”, sikurse na udhëzon se: “Kudo që të jeni, ju arrin vdekja!”… Me fjalë të tjera, askush prej nesh s’i shpëton dot vdekjes, sikurse: “… askush s’e di se ku do të vdesë”, siç përmendet në fjalën e Zotit.

Dje pasdite, isha aty, kur u rivarros i madhi dijetar e atdhetar i kombit, Hafiz Ali Korça. Ndjeva një peshë të rëndë mbi supe, teksa shoqëroja eshtrat e tij, ndonëse ato mund t’i ngrinte kushdo pa asnjë sforcim fizik… Peshonin sa krejt madhështia e emrit të tij me tre harfe të bukura.., sa vepra e tij e heshtur librave.., sa emri i tij i përdorur aty-këtu, herë me vend e herë pa vend, sa historia e tij (e keqlexuar), sa koha e tij, ku dijetarë e atdhetarë të shquar të këtij kombi nuk fshiheshin pas perdeve të frikës, por e thonin fjalën e tyre, tamam si vargjet e “Shtatë ëndrrave të Shqipnisë”, që akoma kanë nevojë për një Hamzade për t’i interpretuar e kuptuar në raport me greminën ku është katandisur atdheu ynë, trojet etnike, kombi dhe ajo çfarë shihet në horizont…

Ndërkohë sot, vizitova varrezat e qytetit tim, ku pushojnë në qetësinë e painterpretueshme të atij vendi, sa e sa të njohur dhe të panjohur, të ditur e të paditur, të rinj e të moshuar, fëmijë e të posalindur… Të gjithë ata, sot janë thjeshtë një kujtim, një emocion, një lot, një lutje, një dhembje, një mungesë, një fjalë e pathënë, një ëndërr e parealizuar, një emër i gdhendur në një gur pa shpirt, që ruan në memorie një botë të madhe sa shpirti i të zotit, emrin e të cilit ruan me besnikëri…

Vizitova edhe nanën me gjyshin, axhën, por jo vetëm… Përballë tyre, teksa lutesha e këndoja një “Fatiha”, m’u kujtuan gurët e varreve në Zogaj, ku gjithandej lexohet: “Ne ishim si ju, edhe ju do të bëheni si ne!”… Është mirë t’i vizitosh të shkuarit… Ta thjeshtësojnë rrugën…

Ia vlen ta mendosh se, një ditë, krejt papritur e pamenduar, do të largohemi nga kjo botë, pa poste, pa llagepe, pa pasuri, pa të dashurit e zemrës, pa asgjë.., tamam si atë ditë, kur erdhëm në këtë botë kalimtare.

Ia vlen ta mendosh, për atë që vjen pas, për llogarinë, për të përtejmen e përjetshme, për rikthimin në origjinë…

Dhe, siç shkruhet në urtësitë arabe: “Kur isha i vogël, përfytyroja se vdekja merr vetëm gjyshërit. U rrita. Nisa ta shoh të merrte më të vegjël se mua, teksa më kalonte pranë..! Sikur më pëshpërinte në vesh: Do të kthehem një ditë edhe tek ti, përgatitu!”

Vdekja, ky cak i paevitueshëm drejt së përtejmes..!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 9 gusht 2017