Shoqëria e besimit është bekim!

Shoqëria e besimit është ajo që vlen; në këtë botë dhe në të përtejmen! Elhamdulilah për këtë mirësi!

Shoqëria e besimit është garanci për sigurinë, paqen e harmoninë, ndershmërinë dhe pastërtinë në marrëdhënie me këdo; në fjalë, në mirësjellje, në komunikim, në organizim, për të sotmen dhe të ardhmen!

Shoqëria e besimit punon me përkushtim për t’i shërbyer vendit; toka është amanet që s’e shpërdorojmë dot! Njeriu mbi tokë është amanet, lutemi për të, i shtrijmë dorën e paqes dhe bashkëpunimit, së bashku ndërtojmë!

Shoqëria e besimit është garanci për të ruajtur ekuilibrat, kur e keqja dhe tentakulat e saj përhapen për t’ia zënë dritën të mirës, për t’ia mbyllur gojën, për t’ia shuar feksimin! Përballë të keqes qëndrojmë me dinjitet dhe krenari legjitime; me frymëzimet e shpirtit të ndërtimit, presim çdo tentakulë dhe zhgulim çdo rrënjë grami, pa hezitim, pa ndrojtje, pa e menduar dy herë!

Me të keqen nuk ka, as duhet të ketë tolerancë! E keqja është mjerim për të sotmen, për të ardhmen, për rininë, për familjen, për kombin, për vlerat!

Shoqëria e besimit është bekim! All-llahumme, forcoje vëllazërinë dhe organizimin në mesin e besimtarëve, që të dëshmohet madhështia e këtij besimi dhe kësaj feje në çdo sferë të jetës!

All-llahume amin, për të mirën e vendit dhe kombit, botës, ymetit, njerëzimit!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, e xhuma, 4 gusht 2017