Në krahë tavafesh, përreth gurëve të sokakut tënd…

Në hatër të mbaj, aty qëndron kible mendimesh, si portë e pakalueshme malli që veç shtohet, teksa dielli lind e perëndon në krahë tavafesh, përreth gurëve të sokakut tënd..!

Çdo ditë që kalon, ti veç rreze malli dritëson për sytë e zemrës, ndonëse shekuj pafund mban mbi vete, si bedena kalaje, rrethuar me madhështi, që kurrë s’perëndon..!

Tek ti vij çdo ditë; në heshtje hyj e plot mall kthehem, ndonëse malli, thonë, nga takimi zbehet..! Me ne të dy është e kundërta; mua më merr malli për ty edhe kur jam me ty, madje edhe për takimin që pason takimin për të cilin mendoj, ende pa u takuar, teksa rreshtoj këtë rrëfim të heshtur me ngjyrë dëshmie..!

Është natë. Ndoshta është ditë. Tamam-tamam, kur ti shfaqesh në orbitën e zemrës, nata dhe dita, dita dhe nata, pa fjalë shkrihen në rrezatimin e bukurisë tënde veshur si petk, që diellin dhe hënën hijeshojnë me prezencë begatuese; krejt si vesa, petalet e jaseminës së Damaskut..!

Me ty, asnjëherë s’jam vetëm. Sa herë vetëm qëndroj, me ty as bota nuk na zë! Sa herë shfaqesh, bota perëndon, sa herë hutohem nga kujtimi yt, as dielli nuk ngroh! Në hatër të mbaj, aty qëndron kible mendimesh, si portë e pakalueshme malli që veç shtohet, teksa dielli lind e perëndon në krahë tavafesh, përreth gurëve të sokakut tënd..!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 20 janar 2018