Gjurmëve të besëlidhjes së shenjtë..!

E keni vënë re? Sa më shumë shtohen propagandat e djallëzuara kundër Islamit dhe muslimanëve në botë, aq më shumë shtohet ndërgjegjësimi i muslimanëve ndaj fesë së tyre, po aq shtohet edhe numri i konvertimeve në Islam, gjithandej nëpër botë!

E gjitha kjo, reflekton edhe në shtimin e pallogaritur të vizitorëve të shumtë nga mbarë bota, që vijnë pranë të Dërguarit (a.s), si për të mbajtur gjallë kuptimet e jashtëzakonshme të besëlidhjes së shenjtë, për të cilën bën fjalë ajeti 10 i sures El-Fet’h: “Ata që të janë betuar për besnikëri, në të vërtetë, i janë betuar për besnikëri All-llahut. Dora e All-llahut është mbi duart e tyre! Ai që e prish betimin, e prish në dëm të vetes, por, nëse e mban besën ndaj All-llahut, Ai do t’i japë atij shpërblim të madh.”

Imagjinoni sikur realisht të ishim, ashtu siç ata na përshkruajnë, duke mashtruar njerëzimin; nuk do të kishin siguri as ata dhe askush në botë të bënte gjumë të qetë!? Sa paradoks i madh! Sa qesharake!

Fakti që ne jemi kështu siç realisht jemi, (Kur’ani, Tradita Muhammedane dhe historia e gjallë mjaftojnë si dëshmitarë), kjo është një garanci e madhe për botën, për sigurinë e saj, për të sotmen dhe për të ardhmen e saj! Garanci, se kjo botë do të pastrohet një ditë jo të largët nga kjo e keqe e madhe dhe ky mashtrim i neveritshëm, që ka nisur t’i kthehet mbrapsht të zotëve!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 28 janar 2018