Harfe të lidhura në kujtimin Tënd…

Përmendja e emrit Tënd sjell pranverën në dimër… Jo, Ti je vetë pranvera, kurdo që vjen, në çdo stinë që mbërrin, kujtimi Yt nuk vjen vetëm… Ty të shoqëron amberi e misku, flladet e përmendjes Tënde gjallërojnë kohën dhe mbushin vetminë me dritë, përhumbje në salavatë…

Melodi zemre është emri Yt… Harfet e tij, të shpërndarë në horizonte të mallëngjyera, frymëzojnë dritën e diellit dhe bukurinë e hënës; falin prehje dhe mall kujtimesh, si drita e takimit me kokën mbështetur në prehrin e tokës Tënde…

Gjithandej sonte, tanësia frymon mallin e kujtimit Tënd… Toka është tharë në lutje e, horizontet, në vetminë e kujtimeve, të çojnë Selam dhe Salavatë, me përulësinë e falënderimit, para duarve të Atij, që emrit Tënd i dha dritë e mëshirë…

Sonte, është mbushur fryma me nurin e mallit Tënd, nuk gjen qetësi e prehje, vetëm se mbështetur në pragun Tënd, të thërret, si trung i përmalluar, si gur që s’flet as dëgjohet, kur bën tesbih në duart e Tua-misk…

Çfarë do të ishte kjo botë, pa rrezatimin e syve të Tu, pa hapat e Tu mbi tabanin e saj, pa tingullin e fjalës Tënde, që botën ringjalli nga tretja në greminat e anarshisë..? Çfarë do të ishim ne, pa dritën Tënde horizonteve të qenies sonë..?

Kush e preku Kubanë dhe s’ta ndjeu gëzimin e zemrës, zjarrin e dashurisë për tanësinë, mallin e heshtur për shekujt, deri në përjetësinë e thirrjes: “Vëllezërit e mi!”..? Kush e pa në sy Uhudin dhe s’e ndjeu mallin e pafshehur, dridhjen e dashnisë dhe besnikërinë në Ty..?

Kush e shkeli tokën e Hendekut dhe s’u mbush me frymë dorëzimi, në kujtimin e atyre, që të rrethuan me zemrat-mburoje të xhelozisë dhe përkujdesjes, deri në vetëmohim..? Kush frymoi mbi tokën e Bakisë dhe s’ndjeu mall shekujsh, që kurrë s’shuhet.., për Ty..?

Kush ra në sexhde mbi sipërfaqen e Medines së Ndriçuar dhe s’u mbush me frymën e besëlidhjes, që mban të lidhur krejt zinxhirin e pashkëputur të shekujve, mbështetur mbi tokën e ensarëve, mbushur me dorëzim muhaxhirësh në rrugëtimet e triumfit të pakthyeshëm..?

Përmendja e emrit Tënd sjell pranverën në dimër… Jo, Ti je vetë pranvera, kurdo që vjen, në çdo stinë që mbërrin, kujtimi Yt nuk vjen vetëm… Ty të shoqëron amberi e misku, flladet e përmendjes Tënde gjallërojnë kohën dhe mbushin vetminë me dritë, përhumbje në salavatë…

Muhamed B. Sytari
Shkodër, 6 mars 2018