Ndihmat e Turqisë për të përmbyturit e Shkodrës

Më pyetën sot, ca miq të afërt nëse është e vërtetë se, Turqia do të sjellë ndihma të konsiderueshme për të përmbyturit e Shkodrës.

E ndjeva për borxh moral të them dy fjalë, që do t’i ndaj edhe me ju, me shumë dashamirësi.

E vërteta e madhe, që nuk duhet ta mbulojmë për asnjë konjukturë, është se, Turqia e presidentit Rexhep Taip Erdogan është kthyer sot, në një kible garancie dhe besueshmërie për pjesën dërrmuese të ymetit të muslimanëve në mbarë botën, kible humanizmi, dijeje, përparimi, zhvillimi dhe rimëkëmbjeje të paevitueshme, që ngroh dhe gëzon pa masë zemrat e dashamirëve.

Në sytë dhe mendimet e elitave të mendimtarëve tanë botërorë, kjo Turqi, është mëse e denjë të jetë pikë referimi për botën islame dhe të garantojë rizigjimin e munguar të mbarë ymetit, edhe pse shumë të fabrikuar nga ambasada e shtete që e kanë luftuar dhe e luftojnë Islamin, (edhe në mesin tonë), nuk e duan dhe propagandojnë çdo ditë kundër saj dhe zhvillimeve befasuese, që ajo po kalon!

Ymeti islam, (Ehli Syneti), është ymet pjellor, nuk vdes, edhe nëse dërrmohet për vdekje, siç është sot, falë bashkimit të aleancave të së keqes kundër tij! Ai nuk mbetet peng në duart e modeleve të shpifura dhe dekadente, që qenë krijuar për të garantuar kolonizimin e botës islame, si viruse shkatërruese të ymetit, të prodhuara shekullin që kaloi.

Edhe viruset e këtij shekulli me ushtarët e tyre të përbetuar, nuk e mbajnë dot peng rizgjimin e një ymeti, që ka për Zot, All-llahun (xh.sh.) dhe për pejgamber, Muhammedin (a.s.), në fjalët e garantuara të cilit gjejmë shpresë dhe besim se, e ardhmja është e Islamit!

Nga ana tjetër, ne si komb shqiptar, duhet të ndjehemi krenar dhe të sigurtë, që Turqia ka qenë, është dhe lutemi që do të vazhdojë të jetë miku ynë i madh dhe atdheu i shtrenjtë i miliona shqiptarëve, që sot jetojnë në integritet të plotë, thuajse në çdo cep të saj, duke ruajtur gjuhën, besimin, fenë dhe traditat e të parëve!

Ndihmat e qeverisë turke janë të mirëpritura me zemër, sikurse mirënjohja e jonë ndaj saj nuk ndryshon, edhe pa këto ndihma humanitare, që vijnë si bekim e fije shprese për qindra familje në mizerie..!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, 23 mars 2018