Mos kini frikë, nuk e korit All-llahu ymmetin e Hz. Muhammed Mustafasë!

Pyetje pa fund rreth datave dhe ngjarjeve të shënuara të kalendarit islam, lindin dhe shfaqen në horizont, sa herë ato përsëriten në harkun e një viti, duke na bërë pjesë të bisedave, këshillave, mendimeve e reflektimeve të ndryshme, që na zhvillojnë e na afrojnë përherë e më shumë me thelbin e tyre.

Desht All-llahu, që përkujtimi i Israsë dhe Miraxhit sivjet, të përkojë me një gjendje thuajse kaotike të ymmetit islam, sidomos në pellgun mesdhetar e pak më tutje deri në Gadishullin Arabik.

Natyrshëm, në këtë kaos të pritshëm, këmbë e krye jemi të përfshirë edhe ne, muslimanët e Shqipërisë, duke nisur nga propagandat e panumërta islamofobe, që nuk kanë të sosur, te qëndrimet e zhvatja dhe degradimi i një kombi të madh të copëtuar si mos më keq, për shkakun e besimit dhe fesë. E vërteton këtë më së miri edhe misionarizmi i ca dallkaukëve të imponuar për të drejtuar “fatet” e këtij kombi, të cilët po keqpërdoren përherë e më shumë për propagandat dhe deklaratat e tyre ekstremiste dhe servile, kundër Islamit dhe muslimanëve, Zoti i udhëzoftë!?

Mos fol pastaj për ekonominë e shkatërruar, taksat-ushunjëza, mungesën e shërbimeve, korrupsionin, krizën morale e fetare, imponimin nga jashtë të fëlliqësive dhe degradimit, që prek tabanin kombëtar, drejtësinë e sakatosur, pronat e tjetërsuara dhe legjitimimin e grabitjes së pronës së tjetrit me ligj, destabilizimin e sistemit arsimor, përhapjen e drogërave, alkoolit, hashashit, thirrjeve për legjitimimin e shtëpive publike etj.

Shpeshherë, kur flas me këtë gjuhë, ca miq më këshillojnë të mos “ngatërrohem” se, nuk rregulloj asgjë. Në fakt, unë e kam diku tjetër…

Si mund të jetë një vend me 70 % të banorëve të tij muslimanë (ule sa të duash përqindjen, mos ia prish hatrin askujt) dhe njëkohësisht të ketë këto të dhëna dekadente?! Është paradoks i madh dhe krejtësisht i papranueshëm, që një shoqëri të jetë edhe muslimane edhe e prapambetur, edhe muslimane edhe e alkoolizuar, edhe muslimane edhe e shthurur, edhe muslimane edhe e korruptuar, edhe muslimane edhe e pasigurtë, edhe muslimane edhe skllave e diktimeve që vijnë nga jashtë, edhe muslimane edhe.., në këtë derexhe!?

Me pak fjalë, shoqëria vuan krizën e besimit dhe dilemën e identitetit! Vuan krizën e institucioneve dhe atë të përfaqësimit! Vuan krizën e familjes përballë sfidave të zhveshjes dhunshëm nga trashëgimia shekullore! Vuan krizën e moralit, besës dhe virtytit! Vuan tërheqjen zvarrë nga shejtanët e kohës, që e kanë zënë gafil dhe kërcejnë përreth saj në kulmin e eksitimit pervers..!

A ka zgjidhje, a ka kthim? Absolutisht që po! Përndryshe nuk do dëshmonim xhamitë e tejmbushura me të rinj (përtej cilësisë së predikimeve, leximeve sipërfaqësore dhe interpretimeve të cungëta të teksteve fetare!?), që nuk hezitojnë të pyesin, të mësojnë, të dëshmohen si muslimanë e ta mbrojnë me krenari dhe legjitimitet të plotë dhe logjik përzgjedhjen e tyre të ndershme!

Prandaj, teksa lexoj dhe rilexoj detajet e Israsë dhe Miraxhit, parathënien e tyre në kontekstin historik e shpirtëror, pastaj teksa e vendos realitetin e sotëm në peshoren e kësaj mrekullie, i them çdo të riu dhe të reje, çdo muslimani të shtypur e çdo besimtari të frikësuar: Mbaje kokën lart, ti je pasues i Hz. Muhammedit! Mbaje kokën lart, ti je musliman! Mbaje kokën lart, ti je pasues i Kur’anit dhe ai është aty, para duarve dhe syve tu! Mbaje kokën lart, ti nuk je vetëm; “Lutmuni Mua, Unë do t’ju përgjigjem!”!

Leximi i ngjarjes së Israsë dhe Miraxhit na ndihmon të kuptojmë se kush jemi dhe se çfarë amaneti të madh mbajmë mbi supe; për të mirën e individit, familjes, shoqërisë, kombit e atdheut, për mbarë njerëzimin!

A do ta lexojmë atë, për t’u ngritur nga gafleti, apo do lejojmë të na kalojë në rutinën e vulgut mbytës..?!

Mos kini frikë, nuk e korit All-llahu ymmetin e Hz. Muhammed Mustafasë! Thjeshtë, le ta dëshmojë secili veten si pjesë të tij! Vetëm kaq!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 13 prill 2018