Pastrues i ndershëm..!

Nder i madh dhe krenari është të pastrosh muret dhe kupolën e xhamisë së Ma të Mirit e Ma të Shtrenjtit (a.s.) në Medinen e Ndriçuar, por nuk ka si nderi dhe krenaria që zbukurojnë muslimanin, që ndjek rrugën e Resulull-llahut (a.s.) në marrëdhënien e tij me familjen e tij, me nanën dhe babën, me komshiun dhe mikun, me atdheun e tij dhe hakun e tokës, me pastërtinë dhe nderin, ruajtjen e besës, dlirësinë e zemrës, me urdhëresat dhe ndalesat, me Kur’anin dhe traditat e tij (a.s.)!

Nder i madh është të ringjallësh një traditë muhamedane në kohë hutimesh, të lexosh dhe të kuptosh një udhëzim tijin, pastaj ta praktikosh dhe ta përhapësh ndër njerëz, të lartësosh emrin e tij nëpërmjet veprës tënde, të personifikohesh me hadithin dhe urtësinë e tij, me krenarinë islame dhe dritën e saj, me forcën e karakterit dhe ndershmërinë në marrëdhënie me krijesat e Zotit Një!

Nder i madh është t’i konsiderosh krejt krijesat e Zotit si amanet të shenjtë e të shtrenjtë, për të cilin do të pyetesh në ditën e gjykimit; për udhëzimin e tyre, për përcjelljen e fjalës së mirë, për dëshmimin e shembullit pozitiv, për mendimin e mirë, për garantimin e tyre nga e keqja e jote, nga paragjykimi dhe dashakeqësia!

Nder i madh dhe krenari është të jesh pastrues i ndershëm i imazhit të fesë tënde, Kur’anit tënd, pejgamberit tënd..!

Nder dhe krenari është të jesh i ndershëm me vetveten dhe fenë tënde, edhe nëse e gjithë bota të lufton..!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 17 prill 2018