Para Xhamisë së Madhe në Kordoba…

Kordoba. Sokaku që të shpie drejt xhamisë së famshme të saj, në heshtjen e tij fsheh gjurmët e shekujve të qytetërimit dhe humanizmit të muslimanëve, që për mbi tetë shekuj i dhanë jetë e dritë kësaj toke, Evropës, botës, ndonëse rënia e tyre dëshmoi një ndër fragmentet më të errëta të historisë së njerëzimit!..

Në brendësinë e oborrit të saj, xhamia duket si një kopje nostalgjike e xhamisë së madhe të Emevitëve në Damask. Harqet e saj ruajnë në bukurinë e tyre dy faqet e një historie, shkruar me përkushtim e sakrificë.

Shatërvanet me ujin e bollshëm, përtej ujit të rrjedhshëm, simbolizojnë pastërtinë, dlirësinë e paqen e Islamit, pasuesit e përkushtuar të cilit, kudo ku kanë hyrë kanë sjellur me vete ujin dhe pastërtinë…

Si jo, kur All-llahu i Madhëruar urdhëron në Kur’anin Famëlartë: “All-llahu i dontë pastrit”, sikurse e porosit të Dërguarin e Tij: “Dhe rrobat tuaja pastroji!”, por jo vetëm!

Si jo, kur i Dërguari (a.s.) deklaronte botërisht, 15 shekuj më parë: “Pastrimi është gjysma e besimit!”, sikurse udhëzoi haptas se:”… Nuk do të hyjë në xhennet, veçse i pastërti!”. Poashtu porositi: “Pastrojini oborret tuaja dhe mos u përngjasoni me jehudët!”, por jo vetëm.

Mbi këto baza, muslimanët e përvetësuan pastërtinë në jetën e tyre, e shpërndanë, e bënë pjesë të pandarë të ditës, u identifikuan me të!

Kudo ku shkuan, e kthyen ujin në burim të qytetërimit dhe marrëdhënies së tyre me jetën dhe zhvillimin. Deri në atë pikë sa, Harun Reshidi i famshëm, kalifi abasit, i dërgoi Sharlamanit të Francës, si dhuratë mbretërore, një orë që punonte me anë të ujit… (Asokohe, oborrtarët e prijësit francez, së bashku me udhëheqësin e tyre, mendonin se brenda kësaj ore ndodhet një xhin..!?).

Teksa vështroj në hapësirat e këtij oazi paqeje e qetësie shpirtërore, më mbushet zemra me një ndjenjë të papërshkrueshme falënderimi ndaj All-llahut të Madhëruar, që na bëri muslimanë, na udhëzoi në këtë fé dhe na ftoi drejt Tij nëpërmjet rrugëve të pastërtisë; në adhurim, në zemër, në nijet, në komunikim, në raport me tjetrin e jetën!

Sa mirësi e madhe!

Kordoba, 1 nëntor 2018