Reflektim në prag të Ramazanit 1440

Fetarizmi i shëndoshë është shkrirja në një, e kryerjes me përkushtim të adhurimeve ditore dhe dëshmimit musliman me sjellje e moral në jetën e përditshme!

“Feja është marrëdhënia me të tjerët”, që do të thotë se, Islami duhet dëshmuar në tërësinë e veprave tona, jo thjeshtë në lëvizjet fizike përgjatë adhurimeve ditore, izolimit me nijetin e fetarizmit korrekt dhe të kthyerit në një njeri të kompleksuar nga çdo gjë çdo njeri përreth!?

Muslimani me moralin dhe sjelljen e tij, me adhurimet e sakta dhe vetëdijen islame, është njeri i komunikueshëm, i hapur ndaj tjetrit, kushdo qoftë ai, dëshirues i të mirës për këdo, njësoj si për veten e tij, i pandrojtur për të bërë mirë e për të lënë gjurmë, mbështetur mbi pragun e sinqeritetit dhe mospritjes së asnjë falënderimi a mirënjohjeje nga askush: “nuk duam prej jush as shpërblim, as falënderim!”.

Për të na ndihmuar në arritjen e kësaj shkalle të lartë, All-llahu i Madhëruar na mundëson edukimin njëmujor, përgjatë vitit, në Muajin Ramazan, për të kuptuar drejtë domethënien e madhe të hadithit kudsi: “Agjërimi është i Imi dhe Unë e jap shpërblimin për të!”.

Si për të na thënë se përballja me jetën në rrugëtimet tona për t’u dëshmuar si muslimanë të realizuar, kërkon patjetër sinqeritet, dorëzim, besim të patundur dhe përkushtim ndaj Krijuesit të gjithësisë!

Ne nuk jemi gjyqtarë të askujt, nuk është përgjegjësia e jonë të tregojmë me gisht të tjerët! Ne jemi të ftuar drejt përsosmërisë së marrëdhënies me Zotin e gjithësisë, për t’u ndrequr mbi këtë bazë, çdo detaj i jetës sonë; gëzimi, hidhërimi, e mira, e keqja, arritja, dështimi, çdo gjë!

Agjërimi i Ramazanit është një mundësi e madhe për të ndryshuar për mirë, për të parë ndrysh jetën, për të vështruar ndrysh argumentet e Tij përreth nesh, për t’u thelluar në atë që lexojmë nga Fjala e Tij, për ta thyer rutinën e nefsit dhe për t’i dëshmuar Zotit se, në përpjekje drejt Tij, ne mund të ndryshojmë, për t’u lartësuar në gradët e “nefsit të rehatuar” me Zotin e me bekimet e Tij!

Imam Muhamed B. Sytari

Shkodër, 3 maj 2019