Pashë një person që e njihja, teksa po ecte rrugës. I dhashë selam dhe në mes nesh u zhvillua një bisedë rreth besimit.
E pyeta: A falesh ti, o vëlla?
Ma ktheu: Jo!
E pyeta: Përse?
Tha: Presionet e jetës, hallet e vështirësitë, mungesa e qetësisë, zhurmuesit e bezditë e ndryshme… Krejt këto ndërhyjnë mes meje dhe namazit dhe më pengojnë ta kryej atë.
I thashë: E çuditshme! Ajo që dihet është se, namazi të hap zemrën, të dhuron qetësi, të largon hallet, me mirësitë dhe dritën e vet e nxjerr robin nga labirinthet e zhurmuesve të ndryshëm!
Namazi është ai, për të cilin, Resulull-llahu (a.s.) iu drejtua Bilalit (r.a.), duke i thënë: “Na qetëso me të!”. Për të tha: “Prehja ime është në namaz!”.
Po si ndodh që ta gjejmë këtë njeri në të kundërtën e asaj që duhet në raport me ndjesitë ndaj namazit dhe adhurimit? Kjo, pasha All-llahun, është prej pamjeve më të shëmtuara të defektit në ndjesi dhe në njësitë matëse të gjendjeve njerëzore, që nuk i trashëgojnë të zotit, veçse mjerimin!
Prandaj, o vëlla, kape veten! Ruaju nga përmbysja e njësive matëse të besimit në jetën tënde. Kërkoje rehatinë tënde në kulmin e afrimit me Zotin tënd, i Cili ka thënë (dhe mjafton Fjala e Tij si peshore ndreqëse e lëvizjes së ndjesive): “Ata që besuan dhe me të përmendur All-llahun zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur All-llahun zemrat qetësohen” – (Kur’ani, Er-Ra’d: 28)
Shejkh Nedhir Mektebi, Damask
Përktheu nga arabishtja me përshtatje në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, 22/6/2019