
“Dita e 8-të e muajit Dhul-Hixhe 1439. Dinamika e lëvizjes së njerëzve ka nisur të ndryshojë qysh mbrëmjen që kaloi. Ecejaket s’pushojnë. Njerëz që shkojnë, turma që kthehen nga Qabja e Madhnueshme.. Kudo ka zhurmë që përligjet me eventin e shumëpritur vjetor të mbarë botës islame. Rrugët gëlojnë nga taksitë e panumërta, që transportojnë haxhilerë për në Harem; ca shkojnë e ca kthehen, brenda një cikli që duket se s’ka orare, s’ka ditë e s’ka natë…
Haxhilerët janë të zënë për të kryer përgatitjet e fundit para se të rihyjnë në ihram, pas umres së mbërritjes. Këtë radhë do të veshin rrobën më të shtrenjtë e më të veçantë të vitit. Për disa, është dhe mbetet më e shtrenjta e jetës..! Përgatiten të hynë në nijetin e Haxhit. O Zot, sa moment i papërshkrueshëm që është! Është ndjesi mbi çdo ndjesi!
Vrapojnë për të blerë pajisjet e tre ditëve që pasojnë; pak ushqim, pak fruta, dyshekun e Minasë, Arefatit e Muzdelifesë; ndonëse vit pas viti, shërbimet ndaj haxhilerëve sa vijnë e rriten, përmirësohen deri në përsosmëri. Kur e mendon, ata janë pa fund; qindra mijëra që rriten ditë pas dite deri në miliona haxhilerë, që presin me padurim ditën e Arefatit, ditën e madhe të faljes e të mëshirës, të triumfit e të krenarisë islame, që kalon nëpërmjet përuljes e durimit, shfaqjes së dobësisë e nënshtrimit para duarve të Atij që ka krijuar krejt universin dhe që s’ka nevojë për asgjë e për asnjërin prej krijesave të Tij, Madhëruar qoftë!
Ende s’ka aguar dielli i ditës së re. Rrugët gjallërojnë nga njerëz të shumtë. Shkojnë drejt xhamive. Deri në prag të ezanit të sabahut nuk do të ketë më vende, do të falen trotuareve e rrugëve. Me qëllim u vonova një ditë, për ta shijuar këtë ndjesi, faljen në rrugë, si për të kujtuar dëshminë e shtrenjtë të Resulull-llahut (a.s): “Më është bërë toka xhami dhe pastrim”![1]
Në atë gjendje, njerëzit ndajnë bashkë sexhaden e namazit; ashtu pa fjalë, pa protokoll. Kryesisht, formula më e përhapur e komunikimit këto ditë është buzëqeshja, që shoqërohet me një shtrëngim duarsh e një lutje në një gjuhë të pakuptueshme për tjetrin (në shumë raste), por që kuptohet edhe pa ditur krejt gjuhët e botës…
Një ditë e re po vjen. Më e shumëpritura e ditëve ndjehet në horizont. Mirë se të vijë, me bekimet dhe mirësitë e All-llahut..!
Edhe pak orë do të shkelim në tokën e Arefatit. Sa më ka marrë malli për atë vend..!” (f. 109-111)
… … …
Libri që keni para duarve, është një testament dashnie, bese e përkushtimi së bashku; nëpërmjet të cilit kam dashur të paraqes për lexuesin kuptimet dhe madhështinë e Haxhit, si adhurim, shoqëruar me detaje dhe copëza reflektimesh, përshpirtje e thirrje shpirti, që gjykoj se kanë qenë hiseja ime e atij udhëtimi e adhurimi të mrekullueshëm, vitin që kaloi.
Gjatë ditëve të kaluara në Mekë e Medine, kam komunikuar shpesh me Hafiz Ibrahim Repishtin, për shpirtin e të cilit po bëja edhe Haxhin bedel, pas kërkesës fisnike nga i biri, prof. Sami Repishti.
Nuk kisha se si të mos e pranoja kërkesën e një burri të urtë e të thyer në moshë, që kërkonte me insistim, larg nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që brenga me të cilën babai i tij, viktimë e terrorit fashist, ishte larguar nga kjo botë, me zemër të thyer; të plotësohej…
Kam komunikuar, si ta kisha para syve; herë e konsultoja e herë e ndiqja në fjalët e Haxhi Vehbi Dibrës, herë në rreshtat e tefsirit e herë në interpretimet e bashkëkohorëve prej dijetarëve të urtë të ymetit tonë.
Është një përpjekje për ta lexuar Haxhin me gjuhën e mallit, me rrahjet e zemrës së lumtur në tokën e shenjtë, si fëmija që ritakohet me prindin pas një mungesa të gjatë!
Është një angazhim për të gjetur në filozofinë e Haxhit, tërheqjen e duhur që i shërben muslimanit sot, për të dalë nga kllapia, për t’u zgjuar nga hutimi, për të mos pranuar skllavërimin përçudnues dhe realitetet pa kible, në të cilat përpëliten sot shoqëritë islame.
HAXHI – TELBIJA…
Telbije, në gjuhën arabe i thonë përgjigjes së ftesës.[2] Në një mënyrë a një tjetër, besimtari me rrobën e bardhë të ihramit, teksa i përgjigjet Krijuesit me umre a haxh, në fakt hyn në përshpirtjen e një marrëdhënieje sublime të lidhur në kushtet e zhveshjes materiale nga çdo miradi e kësaj bote, larg epsheve, tekave dhe rendjes së hutuar pas çdo gjëje që të largon nga Zoti! Është marrëdhënie e bardhë, ndërtuar mbi nijetin e bardhë, veshur me të bardha dhe që mbyllet me bardhësinë e faljes dhe pastrimit nga gjynahet e shkuara. Deri këtu është mrekulli!
Por, teksa në çdo cep të Mekës dëgjohen telbijet me zë të lartë, a kemi kuptuar nga kjo fjali e bekuar përgjigjen e përhershme ndaj thirrjeve dhe ftesave që na bën Zoti i gjithësisë në Kur’an?
Para dy ditësh, në një prej librarive që më së shumti frekuentoj në Mekë, më tërhoqi vëmendjen botimi i disa prej veprave të intelektualit të shquar damasken, Ali Tantavi. Ndër të tjera mora edhe librin e tij me titull: “Shkrime në fjalë”, (botimi i 8-të, Xhedah, 2011).
Ka një shkrim interesant në këtë përmbledhje me vlerë, titullohet: “Besimi”, ku ndër të tjera thekson: “Ne luftuam me besimin tonë, jo me armët tona! Me besimin tonë triumfuam! Me besim, Sa’di, nomadi i gadishullit arab, i cili nuk kishte studiuar artet luftarake; triumfoi përballë Rustumit, udhëheqësit pers! … Në zemrat tona rrojnë kujtimet e atyre ditëve, në gjakun tonë vlon zelli i tyre prandaj, lëshojini këto kujtime, nxiteni këtë zell dhe zgjojeni besimin në shpirtrat tuaj..!”. [3]
Ndoshta, ky konkluzion shumë i rëndësishëm, që na fton të vështrojmë në thellësi të shpirtit të besimit dhe ndikimit që ai ka në ndryshimin e gjendjes së individit dhe lartësimin e tij në jetë; është thelbi i zgjimit të plotë të vetëdijes tonë islame dhe vullnetit për t’iu përgjigjur ftesave të mëdha të All-llahut, duke mos u mjaftuar thjeshtë me shprehjen e telbijes për ca minuta e ca çaste në haxh e në umre, por duke e kuptuar thellësisht vlerën dhe madhështinë e kësaj thirrjeje shpirti, që na kujton përherë rëndësinë që ka dëshmimi real i besimit në jetë, jo mjaftimi me veprime folklorike e pretendime emocionale. – (f. 105-108)
Të dashur të pranishëm,
Kisha dëshirë të ndaj me ju sot, kënaqësinë e prezantimit të këtij botimi të ri, që shpresoj të fitojë vëmendjen tuaj dhe të bëhet shkak për një lexim ndryshe të Haxhit dhe rrezatimeve të tij për jetën tonë.
Më lejoni të falënderoj me zemër prindërit e mi, bashkudhëtarët më të shtrenjtë në këtë rrugëtim të paqtë, që u bë për mua dhe vëllanë tim si Haxhi Ekber, në praninë e bekimeve të tyre për ne, para Qabes së Madhnueshme dhe tek Resulull-llahu i jonë, në Medinen e Ndriçuar.
Falënderoj përkushtimin e teologut Altin Loshi; mendimet e të cilit i shtuan dritë këtij botimi; mikun tim të shtrenjtë, shkrimtarin Xhahid Bushati, analiza e të cilit më bëri ta dua edhe më shumë këtë botim; të nderuarin Bledar Xama, për përkushtimin e tij në faqosjen e librit; kaligrafin tunizian me famë botërore, mikun tim Sami Gharbi, për kurimin e kopertinës; të nderuarin Dr. Ardian Muhaj, që shprehu gatishmërinë e angazhimit të AIITC për marrjen e pasaportës së botimit; si dhe familjen time për mbështetjen e vazhdueshme.
Haxhilerëve të këtij viti i uroj me zemër që ta shijojnë këtë udhëtim dhe të kthehen me Haxh të pranuar e xhennet të fituar!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 25 korrik 2019
(Fjala e mbajtur në promovimin e librit: “Lebbejke..!”,
ditën e xhuma, më 26 korrik 2019)
[1] Pjesë e hadithit të rrëfyer nga sahabiu Xhabir ibn Abdil-lah (r.a.), që tregon se i Dërguari i All-llahut (a.s.) ka thënë: “Më janë dhënë pesë gjëra që nuk i janë dhënë asnjë të Dërguari para meje: Më është dhënë triumfi me anë të frikës (në zemrën e armikut) në distancën e një muaji; më është bërë toka xhami dhe pastrim, prandaj çdonjeri nga pjestarët e ymetit tim, kudo ku ta zërë namazi, le të falet…”. Hadithin e transmeton Imam Bukhariu në “Sahihun” e tij.
[2] “Kuptimi i telbijes është përgjigjja. E, nëse personi i thotë atij që e ka ftuar: Lebbejke, do të thotë: T’u përgjigja në atë që the.” – Për më shumë të shihet: Imam Bedruddin El-Ajni, vep. e cit., vëll. 9, f. 246 e në vijim të shpjegimit të telbijes.
[3] Ali Tantavi, Mekalatun fi kelimat, botimi i 8-të, Xhedë, Darul-Menare, 2011, f. 13-15.