All-llahu e mëshiroftë Hoxhën e moshuar, Shejkh Mejmun Zubejr!

Ditën e djeshme, ndërroi jetë këtu në Mekë, dijetari dhe edukatori i shquar indonezian, Shejkh Mejmun Zubejr (1928 – 2019), i cili iu përgjigj thirrjes së Zotit të tij, duke qenë mik në Shtëpinë e Tij të lashtë, i veshur me petkun e haxhiut.

Subhanallah, çfarë ftese e çfarë mirësie të largohesh nga kjo botë, pas një jete të mbushur me sakrificë e përpjekje në rrugën e All-llahut të Madhëruar, duke qenë mik në Shtëpinë e Tij! Si të thuash, ai erdhi në këtë botë për të qenë shëbyes i urtë e i përulur i Zotit të tij; edukator e ftues i zellshëm i elitave të bashkëkombasve të tij drejt brigjeve të udhëzimit e shpëtimit; fjalëmirë e vepërmadh në rrugën e përhapjes së kësaj feje të madhnueshme islame.

Lajmin e Hoxhës së urtë ma dha një shok i vjetër i studimeve. Ishte i prekur, sepse Hoxha i tij nuk ishte më. E kuptova dhimbjen e tij, sepse shijen e kësaj ndarjeje e kam provuar disa herë më parë. Ndjehesh si jetim. Ndjehesh pa frymë. Kupton madhështinë e Mësuesit dhe kujton detajet më të spikatura të rrugëtimit, dorë për dore; i sigurtë, i fortë, i pathyeshëm! Të mungon prania e tij, por nuk të ndahen udhëzimet dhe këshillat. Besa të bëhet ngushëllim. Amaneti të bën të fortë. Dashnia e tij, shoqërues besnik në çdo hap që hedh!

Dje, teksa bëja tavaf, më erdhi ndër mend panja e Hoxhës së urtë nga Indonezia. Sa larg ndjehet ai vend i më të madhes popullatë muslimane në botë! Sa afër ndjehet, përmes kujtimit të edukatorëve të brezave, që vazhdojnë të mbajnë të pashuar pishtarin e Udhëzimit!

Mendova me vete, sa e mrekullueshme është kjo fé, për të cilën Resulull-llahu (a.s.) jepte myzhde: “Do të mbërrijë kjo fé, ku ka mbërritur nata dhe dita…”! Sa e papërshkrueshme ndjesia e përkujtimit të një edukatori të madh të fesë islame, rrënjët e së cilës kanë gjallëruar zemrat e krejt popujve e racave!

Gati-gati u gjeta i papërgatitur për këtë lajm dhe emocionet që lidhen me të, porse shpejt e shpejt u ndjeva krenar dhe u mbusha me frymë respekti e mirënjohjeje për krejt sakrifikuesit në rrugën e përhapjes së Dritës së pashuar; kudo qofshin e kurdo qofshin!

Më erdhën ndër mend emra të panumërt hoxhallarësh, dijetarësh e thirrësish islamë shqiptarë, për të cilët është dëgjuar edhe në Indonezi, njësoj si emri i nderuar i Shejkh Mejmun Zubejrit, rahmet pastë, për mua!

Më erdh në hatër hadithi përgëzues: “Kjo botë i përket katër personave: Një njeriu, të cilit All-llahu i ka dhënë pasuri dhe dituri, në të cilët i druhet All-llahut, në to ruan lidhjet farefisnore, dhe i njeh në to All-llahut, hakun e tyre; kjo është më e mira pozitë…”!

All-llahu e mëshiroftë Hoxhën e moshuar indonezian, Shejkh Mejmun Zubejr, i mëshiroftë krejt imamët, hoxhallarët dhe edukatorët tanë, na bëftë prej atyre që nuk ndahen nga gjurma e tyre, nëpërmjet të cilës mbërrijmë tek e vërteta e madhe e Dashnisë dhe Udhëzimit, të cilën ia përcjellim edhe të tjerëve, deri në frymën e fundit!

Imam Muhamed B. Sytari

Mekë, 7 gusht 2019