Namazi i natës, si një takim i garantuar bekimesh…

Hadithi: “Faleni namazin e natës, sepse ai është traditë e të mirëve para jush, është afrim me Zotin tuaj, është falje e veprave të këqija dhe ndalon nga veprimi i gjynaheve”, është pa dyshim një thirrje e fortë, që e fton muslimanin të korrigjojë marrëdhënien e tij me Zotin dhe jetën!

Me fjalë të tjera, ai na nxit drejt rrugëtimit të sigurtë, që na shpie në dyert e dashnisë së All-llahut të Madhëruar, i Cili e mbulon me mirësi, mëshirë e paqe robin e Tij të përkushtuar.

Dy rekate namaz nate janë më të mira se një film, koha për të cilin shkon pa dobi! Dy rekate namaz nate janë më të mira se shfletimi sfilitës i rrjeteve sociale, komentimet e lodhshme dhe rropatja robotike derë më derë…

Namazi i natës ka një sekret të madh, që qëndron mbi krejt sekretet e tjera të adhurimit! Ai, që me korrektësi e ruan besën e namazit të natës, do të hyjë në xhennet pa llogari!

Transmeton Bejhekiu, nga Esma bint Jezidi (r.a.), nga Resulull-llahu (a.s.), që thotë: “Do të tubohen njerëzit në një fushë të vetme në ditën e kijametit. Dikush do të thërrasë: “Ku janë ata, që lanë shtratin për namaz nate?”.

Ngrihen disa dhe janë pak. Ata hyjnë në xhennet pa llogari, pastaj nis llogaritja e krejt njerëzve”.

Namazi i natës është një takim i garantuar me Zotin, i Cili pret ata që kërkojnë falje, që t’i falë. Pret ata që janë ngushtuar në jetë, që t’i shërojë plagët. Pret ata që kërkojnë suksesin, që t’i japë bekim. Pret…

(Nga dersi i akshamit, më 24 tetor 2019, në xhaminë e Tophanës)