Leximi i Kur’anit dhe ndryshimi i kursit të zemrës…

Ajeti kur’anor 53 i sures “Fussilet”: “Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?”, është argument, që na fton të mendojmë thellë rreth mirësisë së madhe të pranisë së Kur’anit Famëlartë në mesin tonë, si shoqërues besnik i njeriut në botën e tij kalimtare.

Le të ndalemi për pak te mënyra dhe shkaku i hyrjes në Islam të Hz. Omerit (r.a.). Ai ishte nisur të vriste të Dërguarin e All-llahut, por rrugës drejt vendit, ku ndodhej Resulull-llahu (a.s.), Omerit i ndryshoi kursi i zemrës. U bë musliman në mes të rrugës, pas një incidenti (në pamje të parë) me të motrën dhe dhëndrrin e tij…

Që do të thotë se, zemrat e njerëzve janë në dorën e Zotit dhe udhëzimi është çështje ekskluzivisht në vullnetin e Krijuesit të gjithësisë.

Por, duke u kthyer tek Hz. Omeri dhe momenti kulminant, pas të cilit ai u bë musliman, do të kuptojmë se mjaftuan disa ajete kur’anore që zemra e tij të ndryshonte rrahje. Lexojmë së bashku: “Ta, Ha. Ne nuk ta shpallëm Kur’anin mjerim për ty! Ta shpallëm vetëm këshillë (përkujtim) për atë që frikësohet. Shpallje nga Ai që krijoi tokën dhe qiejt e lartë. (E Ai është) Mëshiruesi që krijoi tokën dhe qiejt e lartë.” – (Kur’ani Ta Ha: 1-5).

Pyetja që duhet t’i drejtojmë vetes, teksa e lexojmë Kur’anin, është: A ndikon leximi i sotëm i Kur’anit, që zemrat tona të ndryshojnë kurs, duke u kthyer përherë e më shumë drejt udhëzimit dhe veshjes me moralin e Librit të All-llahut?

Kjo është një pyetje, që ia vlen ta marrim në konsideratë, për të kuptuar cilësinë e marrëdhënies që kemi me Fjalën e Zotit dhe vërtetësinë e komunikimit tonë me të!

(Nga dersi i sabahut, më 23 tetor 2019, në xhaminë e Parrucës)