Kur’ani Famëlartë, si cak udhëzimi dhe garanci e hyjnores në jetë

Argumente të shumta logjike na ftojnë përherë e më shumë drejt forcimit të besimit të patundur se, Kur’ani është Fjala e All-llahut të Madhëruar.

E, teksa argumentet na dëshmojnë bindshëm se, ky Kur’an është Fjala e All-llahut të Madhëruar, përse të mos ia hapim zemrën e shpirtin? Përse të mos e përqafojmë e ta ndërtojmë jetën tonë mbi thirrjen e tij? Përse të mos i dëshmojmë Zotit tonë se, ne muslimanët e kësaj kohe, e kemi plotësisht të mundur të jemi elitë, nëpërmjet kthimit tonë nga Kur’ani?

Në suren Et-Tur: 33-34, lexojmë: “A mos ata thonë: “Ai (Muhammedi) e trilloi!” Jo, por ata nuk besojnë. Pra, nëse ata janë të drejtë le ta sjellin një ligjërim si ai.”!

Nëpërmjet këtyre dy ajeteve kuptojmë se edhe në kohën kur u dërgua me Kur’an, Resulull-llahu (a.s.) u përball me shpifjet dhe trillimet e kundërshtarëve të tij, që vinin në dyshim prejardhjen e Kur’anit.

Por, po të trajtojmë me qetësi pretendimin se, Kur’ani është libër i shkruar nga Hz. Muhammedi (a.s.), do të shohim se sa paradoksal dhe i pakuptimtë është!

Në vitin 2003, në librin tim me titull: “Përpjekje të dështuara”, trajtova edhe këtë çështje, që e shkoqita në tetë pika kryesore.

Gjithësesi, përtej thirrjeve të shkuara e atyre të kohës moderne, Kur’ani Famëlartë vazhdon të befasojë njerëzit e ditur dhe intelektualët objektivë, për bukurinë e fjalisë, për thellësinë e kuptimeve, për korrektësinë në marrëdhënie me çdo të dhënë shkencore e historike, për vlerat edukuese, për mesazhet e shpresës, për gjurmët e mrekullueshme të pejgamberëve të shkuar dhe shembullin e përkushtimit të tyre, etj.

(Nga dersi i sabahut, më 22 tetor 2019, në xhaminë e Parrucës)