Sekreti kryesor i përparimit të muslimanëve

Sekreti kryesor i përparimit të muslimanëve në çdo kohë është Kur’ani!

Prandaj, e kemi për detyrë t’i themi fëmijëve tanë, rinisë tonë, grave tona, të afërmve e shoqërisë tonë: Kthehuni nga Kur’ani se aty është sekreti i përparimit tonë në çdo kohë!

Sepse një person me Kur’an në zemër e mendje, është garanci e të mirës me këdo e kudo qoftë!

Një person që e kupton Fjalën e All-llahut të Madhëruar dhe e praktikon atë në përditshmërinë e marrëdhënieve të tij me të tjerët, është pa dyshim një individ i shëndosh që i bën mirë vetes, familjes, shoqërisë, atdheut e mbarë njerëzimit!

Mbrëmë, një mik i shtrenjtë, prej haxhilerëve tanë të dashur, më tregoi se në 20 vitet e fundot e kishte lexuar Kur’anin 40 herë. Pra, 2 hatme në vit. Që do të thotë se, në krye të gjashtë muajve ai përfundon leximin e plotë të përkthimit të kuptimeve të Kur’anit në gjuhën shqipe. Dhe, kjo është një shtysë më shumë drejt kuptimit të Fjalës së All-llahut dhe përvetësimit të dritës së saj në jetë!

Sot, nuk kemi nevojë të mburremi me numra, as me shifra, porse kemi nevojë të kthehemi nga Kur’ani për ta lexuar e kuptuar, për të adhuruar Zotin e me leximin e tij në origjinal, si dhe për t’u afruar drejt Tij me praktikimin e asaj që lexojmë në jetën e përditshme!

E pyetën një të urtë që jetonte vetëm se, a mërzitej në vetminë e tij? Ai ia ktheu: Kur dua të më flasë Zoti, lexoj Kur’anin e, kur dua t’i flas, ngrihem dhe fali dy rekate!

All-llahu na udhëzoftë drejt dritës së Kur’anit dhe na mbuloftë me mirësi e bekim, ne, shoqërinë tonë dhe mbarë njerëzimin!

(Nga dersi i sabahut, më 21 tetor 2019, në xhaminë e Parrucës)