Edhe ti ike, Axhë..!

Edhe ti ike, Axhë..! Të gjithë do të shkojmë, xhanëm; sot, nesër, pasnesër, a kushedi kur! Të gjithë kemi një orë, të cilës nuk i ikim dot. Ora e së vërtetës së madhe. “I madhëruar është Ai, që në dorën e fuqisë së Tij është i tërë sundimi dhe Ai ka fuqi mbi çdo send. Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është Ngadhënjyesi, Falësi i gjynaheve” – (Kur’ani, El-Mulk: 1-2).

Për një moment ora ndalet, ndonëse koha nuk e kthen kokën për njeri. Si në një shirit kujtimesh, shfaqen momente të paharruara, të mbushura me dritë e nostalgji, me dashni e pastërti, më mirësi e paqe… Janë ato momente që formësojnë memorien personale të njerëzve tanë të dashur në arkivat e zemrës e të shpirtit!

(Njerëzit zihen e lëndohen, ndahen e largohen, pastaj.., krejt papritur, pasi ka kaluar kohë e, tekat janë qetësuar, kthehen e paqtohen, pendohen e afrohen… Ah, njerëzit dhe koha e tyre.., koha dhe njerëzit e saj…)

Dhe, çasti i lajmit tënd, i dashtun Axhë, më zgjoi momentet e memories tënde të mbushur; çuditërisht, drita e tyre e lidh emrin dhe tiparet tuaja me dritën dhe mallin e Kupolës së Gjelbërt… Kështu dua të të kujtoj e, këtu dua të të vendos në botën e kujtimeve të mia, ku jo çdo personazh ka këtë bukuri e këtë vulë..!

Para ca netësh, për herë të parë në jetë pashë lotë në sytë e tu. U befasova. Edhe ti loton? -, thashë me vete… T’u ndez malli i vizitës së Resulull-llahut (a.s.), kur pe veten në një shkrepje malli, para Kupolës së Gjelbërt… Mjaftoi një foto për të zgjuar një botë malli, që fshihet qoshkeve të zemrës dhe, aty pret e duron, duke fshehur veten…

“Selam alejke…”, të dëgjova, teksa e thoje me gjysëm zëri të mbytur nga malli… Po i drejtoheshe Zotërisë tënd nëpërmjet kujtimeve e, ndoshta, zemra ta ndjente se, takimi nuk do ishte i largët…

Edhe ti ike, Axhë..! Ike i dorëzuar! E pranove thirrjen e Zotit tënd, kur të erdhi ftesa e jetës..! Më kujtohet mirë ai moment i paharruar, kur u dorëzove në Shtëpinë e Tij, i mbushur me dritë e dashni, me të cilën u vulos pjesa e mbetur e jetës tënde kalimtare…

Subhanallah, si i ndryshon Zoti zemrat e robëve të Tij… U largove me namaz e agjërim, me umre e haxh, Haxhi Axhë i shtrenjtë… U largove me tespihë në dorë, me lutje e dorëzim të plotë para duarve të Krijuesit Tënd..!

Kjo ditë erdhi ndryshe. Nesër, nuk do jetë si dje. Sot, u zgjuan kujtime dhe u ndal koha jote, i dashtun Axhë! Ti e kalove pragun. Ne të tjerët, herët a vonë do të vijmë pas teje. Deri atëherë, do vazhdoj të lutem për shpirtin tënd, do të të kujtoj të dorëzuar para duarve të Qabes, do të shoh çdo të xhuma nga minberi i xhumasë, do të çoj një selam për çdo ditë Arefati, do të këndoj për ty një “Fatiha” për çdo natë teravie, do të mbetesh gjurmë e bukur në një botë të vështirë plot dritëhije, sakrifica e përkushtim..!

All-llahu e pranoftë dorëzimin tënd, Haxhi..!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 19 tetor 2019