Më mirë se itikafi në xhaminë e Pejgamberit (a.s.)…

Këto netë të ftohta në qytetin tonë duhet të na ftojnë të mendojmë edhe për njerëzit e shumtë që kanë nevojë për një dorë ndihme.

Ka familje fisnike, që nuk lypin, durojnë dhe mbijetojnë, të braktisur nga qeveria, bamirësit, shoqëria e krejt ata që mund të bëjnë shumë për të mirën e bashkësisë tonë!

Po pate mundësi të ndihmosh me ca rroba, bëje, mos hezito! Po pate mundësi të gjesh një familje me jetimë, të paguash arsimimin e tyre, i lumi ti!

Po pate mundësi të ndihmosh me një makinë dru, bëje, mos ngurro! Po pate mundësi të paguash ilaçet e dikujt, shko te farmacia më e afërt dhe bëje në heshtje!

Po pate mundësi t’i heqësh një familjeje a më tepër shpenzimet e shportës mujore të ushqimeve, vrapo i pari! Po pate mundësi ta çlirosh dikë nga fatura e pakontrolluar e tinzare e energjisë elektrike, hiqja atë brengë! Po pate mundësi të gëzosh dikë, që nuk i qesh fytyra prej kushedi se sa ditë, muaj a vite, vrapo dhe mos e lër për më vonë!

Po pate mundësi t’i blesh një fëmije ca libra jashtëshkollorë, ke bërë një mirësi të pallogaritur! Po pate mundësi… Bëje dhe mos mendo për asgjë, veç mirësisë, me të cilën do fitosh bekimet e Krijuesit tënd!

Bëje dhe medito në këto fjalë të mëdha të Pejgamberit tonë (Salavatet dhe selamet e All-llahut qofshin mbi të): “Më i dashuri i njerëzve për All-llahun është më i dobishmi i tyre për ta! Më e dashura e punëve tek All-llahu është gëzimi që ti vendos në jetën e një muslimani, ose largimi i një brenge prej tij, a të dëbosh prej tij urinë, a të paguash borxhin e tij! Të rrugëtoj me vëllanë tim musliman për të kryer nevojën e tij, është më e dashur për mua sesa të bëj itikaf (adhurim sistematik i mbyllur në xhami) në këtë xhami (pra, në xhaminë e Medines) për një muaj! …”.

I lumi ti, pastaj i lumi ti, pastaj i lumi ti..!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 3 shkurt 2020