Rahmet të pastë Shpirti, i Miri Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi!

Vitet kalojnë, kujtimet mbajnë qetësi, gjurmët e dijes, të gdhendura në faqe librash, vazhdojnë të shkëlqejnë, duke ngritur në piedestalet e nderimit e mirënjohjes, përherë e më shumë, imazhin e Dijetarit, Edukatorit, Mësuesit, burrit xheloz për fenë e tij dhe traditat e të parëve…

Vitet kalojnë, nuri i shfaqjes së Hoxhës, ditë pas dite shkëlqen, si Diell që na ngroh, edhe pse shpeshherë e harrojmë, a e neglizhojmë praninë e tij; kujtohemi ta kërkojmë, vetëm kur bie shi, a kur qiellin e mbulojnë re ngjyrë gri.., Zot na fal!

Vitet kalojnë, lidhja e zemrës nuk e ka humbur fillin, nuk e ka thyer besën, as e ka shkelur premtimin.., vazhdon me bindje e dashuri, durim e sakrificë të mbajë në shpirt torçën e amanetit…

Vitet kalojnë, madhështia e pranisë së Edukatorit vazhdon të dëshmojë mirësinë e All-llahut ndaj nesh, fatmirësinë e takimit, bukurinë e shkëndijës sëparë të ndezur, që nga momenti i kontaktit të parë të syve dhe, pa dyshim, rrugëtimin me bindje në atë rrugë të vizatuar nga zemra e të Bardhit Hoxhë..!

Vitet kalojnë, emri i Hoxhës vazhdon të përmendet përherë e më shumë, plot dinjitet e krenari, në një kohë krizash, dilemash e padrejtësishë; në kohët, kur imazhi i Prijësit është mjegulluar e, ku duar të shumta janë përzier për të devijuar rrugën, imazhin, mesazhin..!

Vitet kalojnë, bukuria jusufike e shfaqjes Tënde, i Shtrenjti Mësues, mbetet kible e zemrës, dritë për zemrën, udhëzim për mendjen e, mbi të gjitha borxh i shpirtit, deri në ditën e kijametit!

Rahmet të pastë Shpirti, i Miri Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi!

Si djalë, Muhamedi.

Shkodër, më 19 shkurt 2020