Mos e tradhtoni All-llahun dhe të dërguarin..!

Më pyeti: Ju thoni se Islami është fé e paqes. Por, si e justifikoni praninë e ajeteve që flasin për luftën dhe nxisin drejt saj? Po betejat e Profetit?

Unë buzëqesha dhe i shpjegova se Islami në thelb është fé e paqes, me mikun, me komshiun, me tjetrin, përderisa ai respekton veten dhe kufijtë e shenjtërive!

Përndryshe, Islami është fé e krenarisë dhe e dinjitetit, që mbrohen poashtu me krenari e dinjitet! Që nuk bën të përthyhen, para dobësisë dhe paaftësisë!

I dobëti dhe i paafti nuk kanë të drejtë të flasin as për paqen, as për të kundërtën! Sepse i dobëti dhe i paafti janë thjeshtë vegjetues në pragun e parazitit, ndërkohë që Islami ka ardhur për të na dhuruar JETËN me dinjitet e krenari!

I afti, krenar e plot dinjitet, edhe në luftë është i mëshirshëm, i drejtë, i vëmendshëm e i kujdesshëm ndaj hakut! Ai nuk bën padrejtësi dhe di të dallojë shumë mirë të lejuarën nga e ndaluara!

Për këtë, Gustav le Bon thoshte: “Nuk ka njohur historia çlirimtarë më të mëshirshëm sesa arabët!”, dmth, muslimanët!

Sot, ne nuk kemi të drejtë morale të flasim për paqe a për luftë, sepse jemi shumë larg pozitës për të diskutuar në këto diskurse!

Sot, ne jemi në pozitat e atij që duhet të dëgjojë mirë e qartë thirrjen hyjnore: “O ju që besuat, mos e tradhtoni All-llahun dhe të dërguarin, e ashtu të tradhtoni amanetet tuaja, derisa e dini sa e keqe është kjo!” – (El-Enfal: 27).

Nuk e di a jam i qartë?

Ai, hapi sytë dhe nuk e di as unë se çfarë lëvizjeje bëri me kokën e tij…

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 31 gusht 2020