Elhamdulilah për çdo gjendje e mirësi!

Ditën e sotme pësova një dëmtim fizik, gati-gati në kufijtë e mundësisë për t’u falur në këmbë.

Më kujtoi kjo gjendje dy momente, me dy njerëz të dashur që sot nuk jetojnë më. Rasti i parë është i frekuentuesi të rregullt të xhamive tona, që u sprovua në shëndetin e tij.

Më thoshte se, kam zor të falem i ulur në xhami, derisa u bind se, namazi falet edhe i ulur, edhe i shtrirë, në rastet e pamundësisë fizike.

Një ditë që kisha hyrë me vonesë në xhami, ndërkohë që imami po merrte tekbirin e fillimit të namazit, sytë më kapën zotërinë në fjalë, që falej në karrige. Sa u gëzova dhe sa shumë e doja atë pamje, jo për pamundësinë e tij, natyrshëm, sesa për shembullin dhe për faktin se ai e kishte kapërcyer pragun e ndrojtjes dhe atë të paragjykimit iluziv në mesin e xhematit.

Rasti i dytë është ai i Hoxhës, rahmet pastë. Tregonte njëri prej familjarëve në Damask se, në gjendje të vështirë shëndetësore, Hoxha i jonë u detyrua të falej i shtrirë. Thotë: Një ditë e gjeta duke qarë. Mendova se na dhembje a po lëngon dhe menjëherë e pyeta për gjendjen. Hoxha ma ktheu: “Nuk kam asgjë, por po qaj se më vjen turp prej Zotit tim t’i falem i shtrirë..!” Rahmet pastë, sa i mirë ishte!

Subhanallah, herë pas here sprovohemi në shëndetin tonë, në pasurinë tonë, në të afërmit e në familje, në punë e në miqësi, porse, ajo që është më e rëndësishmja në këto situata, besoj se është të qëndruarit korrekt me Zotin, korrekt me robin, korrekt me veten!

Përndryshe, si ta lexojmë ajetin kur’anor: “Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, por ti jepju myzhde durimtarëve. Të cilët, kur i godet ndonjë e pakëndshme thonë: Ne jemi të All-llahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi!” – (Kur’ani, El-Bekare: 155-156).

Elhamdulilah për çdo gjendje e mirësi!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 22 gusht 2020