Meditime (54)

Kujtime Damasku, kujtime jasemine..!

Kujtime Damasku, kujtime jasemine..!

Kur lulet e jaseminës bien përtokë, do të thotë se ndërrimi i stinëve është në derë. Nësoj si në Shkodër, kur vapa e madhe e gushtit nis e përzihet me korrentet e erës, do të thotë se frekuentuesit e notit në brigjet e Drinit, bëhen gati të mbyllin sezonin…

E ëmbla jaseminë shkëputet me krejt delikatesën e ngjyrës, për të lajmëruar se stina e saj ka mbërritur akshamin, edhe pse dielli i jaseminës veç agon, përtej stinëve e karakteristikave të tyre. Jasemina është më shumë se një lule!

Dimri në Damask vinte i ftohtë. Kishte raste kur binte edhe dëborë. Bardhësia e stinës mbulonte qytetin e madh, aq sa nuk mbetej njeri pa dalë në rrugë, sidomos në lulishtat e shumta, ku më së shumti njerëzit shijonin lojën me topat e borës. Zakonisht, ne shkonim te lulishta Sheku, ajo e lagjes, nganjëherë edhe në Tishrinën e stërmadhe, a edhe në Abasijine. Kishte edhe ndonjë melankolik që vetëm ecte, duke ndjekur bardhësinë në kufijtë e vështrimeve plot meditim.

Shkrepje të panumërta fiksonin gëzimin e njerëzve. Ishin aparatet e kohës, që nuk pushonin. Prej atyre që punonin me filmat Kodak, Fuji a të ndonjë firme tjetër në modë asokohe.

Sabahet e dimrit ishin më të ftohta, sidomos në motet me dëborë, që gjithësesi, nuk rrinte shumë. Thjeshtë kalonte si një mik që nuk don të bëhet i bezdisshëm, por as nuk don të dëgjojë njeri t’i thojë: “Ke humbur fare!”… Largohej drejt Bludanit, që njihej si vendpushimi i borës përgjatë krejt stinës. Eh, sa kujtime të bukura struken në hapësirat e bardha të Bludanit..!

Në prag të ezanit të sabahut, a gjatë tij, studentët zgjoheshin duke fërkuar duart, teksa dilnin nga dhomat drejt çezmeve të abdesit, me peshqirin përreth qafës.

Ishte një moment mistik ai i fillimit të ditës së re. Dikujt, me vështirësi i hapeshin sytë, teksa dikush tjetër e niste ditën me ca lëvizje të ngjashme me ato të sportistëve që bëjnë nxehjen e muskujve në prag të ndeshjes.

Në korridore këmbeheshin selame e urime, biseda të ngushta, por edhe ndonjë batutë e ngelur përgjysëm nga nata e kaluar. Në konvikt nuk ngelte njeri pa dalë për në xhami, prej të cilës na ndante veç një rrugicë e vogël dhe rruga e ngushtë, përballë së cilës ndodhej porta e madhe e xhamisë sonë të shtrenjtë, Ebu Nur. Sa më ka marrë malli ta shkel atë prag..!

Në sabah kishte plot njerëz që nuk e linin asnjëherë tekbirin fillestar pas imamit. Ishin besnikë të atij çasti të shënuar. Nuk linin as virdet e pas namazit. Konsiderohej mungesë edukate dhe namaz i mangët nëse ngriheshe për të dalë me vrap nga xhamia, pa kryer tespihët e lutjen e fillimit të ditës.

Qëndronin pa lëvizur nga vendi për të kryer dhikret e ditës së re, ajeti kursinë, tespihët, duanë. Dikush vazhdonte më tutje me dhikër, deri në lindjen e diellit, në gjurmët e traditës së Pejgamberit (a.s.).

Zakonisht, ditëve, kur kishim kaluar orë të shumta pa gjumë, vraponim për në konvikt. Nuk këmbenim shumë fjalë me njeri. Pak gjumë deri në orarin e fillimit të orarit të studimit ishte i shumëdëshiruar për të ruajtur ekuilibrat e raporteve në mesin e pagjumësisë me gjumin e nevojshëm, a afër kufirit të tij.

Në raste të shumta, kur sabahun e falnim në xhaminë e Dr. Butit, jo shumë larg xhamisë e konviktit, ktheheshim edhe me kënaqësinë që merrnim nga selami dhe shtrëngimi i duarve me dijetarin e shquar, të cilin e karakterizonte modestia dhe heshtja, sidomos kur dilte nga xhamia dhe vazhdonte rrugën drejt shtëpisë së tij, kryeulur në meditim…

Mëngjesi i ri damasken niste me cicërimat e zogjve, që asnjë ditë nuk e ndalnin ritmin e ritualit të tyre paqtues. Ngjante me një simfoni plot jetë, kënga e tyre. E nisnin dhe kushedi se kur e bitisnin. E nisnin dhe asnjëherë s’harronin t’i riktheheshin ritualit të tyre të natyrshëm, me agimin e çdo dite të re…

Kur lulet e jaseminës bien përtokë, hap dyert e kujtimeve dhe lutu për kohën tënde..!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 23 gusht 2019 – 2021