Meditime (55)

Hixhreti është sistem jete, a jemi ne muhaxhirë?

Hixhreti është sistem jete, a jemi ne muhaxhirë?

Në këtë muaj të parë të kalendarit hixhri 1443, mbarë bota islame në rrëmujën e saj, përkujtoi, a kaloi në mjegullnajën e realiteteve të veta hixhretin, ndryshe emigrimin e Resulullahut (paqja e Allahut qoftë mbi të) dhe besnikut të tij, Hz. Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur me të), nga vendlindja e shtrenjtë drejt Medines së Ndriçuar.

Kryefjalë e shumë tubimeve, konferencave, hytbeve, derseve e bisedave u bë hixhreti; arsyet, shkaqet, mësimet, urtësitë, pasojat e rezultatet afatshkurtra e afatgjata të tij.

Në thelb, ymeti i Hixhretit është ymet i planifikimit dhe i ndjekjes së shkaqeve që çojnë drejt sukseseve në jetë!

Ai që ia mundësoi të Dërguarit të Tij udhëtimin në një pjesë të vogël të natës, nga Meka në Kudsi Sherifë, patjetër që mund t’ia mundësonte të njëjtin udhëtim nga Meka në Medine, por jo!

Udhëtimi i natës së Hixhretit ishte jo vetëm i detajuar, por i rrethuar me peripeci, vështirësi, lodhje, stërmundime e rrezik për jetën e disa personazheve kyçe, përfshirë Resulullahun!

A nuk është kjo ngjarje e madhe, për të cilën Dr. Sheuki Ebu Khalil shkruan: “Hixhreti, ngjarja që ndryshoi rrjedhat e historisë së njerëzimit”, një ftesë reflektimi i vazhdueshëm për krejt shoqëritë muslimane dhe ymetin në vetvete?

Por, a ka justifikim për realitetet e sotme në të cilat përpëlitemi ne si muslimanë, bota e jonë shqiptare dhe mbarë ymeti islam në raport me botëkuptimin e Hixhretit?

Po lexoj këto ditë thirrje denigruese për ndalimin e ezanit, njësoj si provokimet tinzare të dikujt që ia kanë kurdisur orën te legjenda e “pushtimit barbar të gjysëmhënës osmane” dhe që sillet e përdridhet rreth asaj legjende fakire duke u rropatur për të rekrutuar të hutuar drejt trushpëlarjes, njësoj si disa që i dëgjoj të thërrasin për domosdoshmërinë e reformimit të ligjërimit fetar e, që në fakt fsheh pabesinë sektare të atyre, që kanë shitur shpirtin tek mentorët e kollarisur, që programojnë prej dekadash zhveshjen e Islamit e muslimanëve prej thelbit të rimëkëmbjes e rizgjimit drejt shkaqeve të organizmit mbi bazat e thirrjes së shenjtë të mësimeve të Hixhretit!

Kur dikush e pyeti Resulullahun (a.s.) për thelbin e botëkuptimit të hixhretit dhe se a ishte ai thjeshtë një largim fizik e material nga vendlindja, apo i lidhur ngusht pas një vendi, apo i posaçëm për një popull të caktuar, apo mbaronte me vdekjen e vetë pejgamberit (a.s.); ai zotni (a.s.) iu përgjigj: “Hixhreti është të largohesh nga veprimet e shëmtuara, të dukshme a të fshehta qofshin! Pastaj, në këtë mënyrë ti je muhaxhir, edhe nëse vdes në vendin tënd!”.

Kjo do të thotë se Hixhreti është sistem jete, që nxit muslimanët drejt përmirësimit të vazhdueshëm dhe përpjekjeve të pandërprera drejt përsosmërisë individuale e shoqërore, duke e shtruar jetën sipas udhëzimit të Allahut, Zotit të vërtetë të gjithësisë!

Me fjalë të tjera, sot, teksa flasim e rikujtojmë Hixhretin e Ma të Mirit të njerëzisë, jemi të ftuar të bëhemi përditë e më shumë muhaxhirë në marrëdhëniet e komunikimin tonë të brendshëm e të jashtëm, në mënyrë që të shijojmë e të dëshmohet nëpërmjet nesh madhështia e udhëzimit hyjnor në jetën e përditshme!

Krejt çështja është: A jemi ne të gatshëm të bëhemi përditë e më shumë muslimanë aktivë, muhaxhirë të përkushtuar e besimtarë praktikantë të asaj që e besojmë dhe e themi me të madhe?

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 24 gusht 2021