Çallma e bardhë nuk është e zezë, as jeshile!

Çallma e bardhë nuk është e zezë, as jeshile!

Ndër shprehjet e spikatura në ligjëratat e shumta që kam prezantuar para duarve të zotërisë sim, Shejkh Ahmed Keftaro, është edhe kjo, që dua ta ndaj sonte me ju:

“A mundet të thotë njeri për çallmën time të bardhë se, ajo është e zezë? A mund ta mohojë bardhësinë e saj? Natyrshëm që jo! Por, nëse personi në fjalë është në errësirë dhe thotë se ajo është zezë, ai është i justifikuar! Edhe nëse thotë se ajo është jeshile, është i justifikuar!

Sepse, ne nuk ia kemi zbuluar atij të vërtetën, më të cilën sado që të ndeshet, do të mbetet i mundur!”

Kjo urtësi, mendoj se i shkon për shtat krejt konferencave e simpoziumeve, takimeve e seminareve të kopsitura në detaj, që organizohen kohëve të fundit për të diskutuar rreth “Islamit paqësor” dhe diferencimit nga ai jo i tillë, “ekstremist”, “politik”, kështu e ashtu prej nofkave të tregut!?

Në fakt, këto janë pjesë të axhendave të caktuara të qarqeve të caktuara, që punojnë ditë-natë për kompleksimin e muslimanëve në botë dhe shtypjen e vetëdijes së tyre, për të mos u zgjuar kurrë, për të mos u zhvilluar kurrë, për të ngelur përherë të izoluar, në një botë të pambuktë, ku nuk lejohet asnjë pasthirrmë, asnjë lëvizje, asnjë reagim, asnjë fjalë!

Të dashurit e mi, Islami është i pastër dhe i plotë, si çallma e bardhë e Hoxhës, pa njolla, pa komplekse, pa mangësi dhe gjithëpërfshirës!

Me fjalë të tjera, Islami që nisi me “Lexo”, është po ai që vijoi me: “Dhe konsultohu me ta”, po ai që vazhdoi me: “Luftoni në rrugën e All-llahut ata që ju luftojnë”, i njëjti që u zhvillua në: “Dhe, nëse anojnë nga paqja, ano drejt saj!”, i njëjti që nxiti drejt: “All-llahu i do të drejtët”, po ai që urdhëroi: “Mjerë për ata, që kur peshojnë u hanë hakun njerëzve!”, po ai që urdhëroi: “Dhe femra nuk është si mashkulli”, po ai që nxiti: “Ju keni fenë tuaj e, unë fenë time!”, po ai që urdhëroi: “O ju pasues të Librit, ejani të bashkohemi në një fjalë të vetme: të mos adhurojmë veçse një Zot (All-llahun)!”, i njëjti që tërhoqi vëmendjen e mbarë njerëzimit: “Dhe kur vajzat e gjora të pyeten në ditën e gjykimit: Përse u mbytën për së gjalli?!”, po ai që nxit haptas: “E shuan All-llahu kamatën dhe i jep begati lëmoshës!”, po ai Islam që urdhëron: “Mos e mbytni veten tuaj!”, ose: “Mos iu afroni kurvërisë!”, ose: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar!”, po ai që porosit: “Mos e harroni mirënjohjen në mes jush!”, i njëjti që betohet: “Pasha Lapsin…”, ose ai që urdhëron: “Dhe rrobat tuaja pastroji!”, ose: “All-llahu i do të pastrit”, “Hipokritët janë fund të xhehnemit!”, ose: “Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje me mirësi..!”, etj, etj pa fund!

Prandaj, mos u kompleksoni nga thirrjet dhe propaganda e copëtimit të Islamit, por shijojeni maksimalisht bekimin e All-llahut mbi ju, faktin që jeni MUSLIMANË!

Do të vazhdojmë të bëjmë konferenca e takime, simpoziume e organizime, vetëm me një qëllim: t’i themi kujtdo se, çallma e bardhë nuk është e zezë! Kush e sheh ndryshe, të dalë nga biruca ku është fshehur dhe të shohë dritën e diellit!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër