Anekdota e urtë e përplasjes së ujkut, gomarit dhe luanit…

Anekdota e urtë e përplasjes së ujkut, gomarit dhe luanit…

Anekdotat dhe urtësitë e popujve, përveçse tregues i kulturës së tyre, mbeten përherë stacione urtie, që ia vlen t’u kthehesh herë pas here. Realitetet, me të cilat përballemi, shpesh korespondojnë me njërën a tjetrën prej këtyre leximeve me dobi.

Sot, dua të ndaj me ju një lexim të vjetër nga arabishtja. Anekdota e ujkut, gomarit dhe luanit.

“Thuhet se, një ujk dhe një gomar u zunë një ditë rreth ngjyrës së barit.

Gomari: Bari e ka ngyrën e verdhë!

Ujku: Jo, bari e ka ngjyrën jeshile!

Të dy u zunë aq shumë, sa nuk ranë dakort. Vendosën të gjykohen para mbretit të pyllit.

Nuk vonoi shumë dhe nisi gjyqi. Si ujku, ashtu edhe gomari dhanë argumentet e tyre duke mbrojtur mendimin përkatës.

Mbreti u tërhoq për pak dhe u kthye për të dhënë vendimin, që të gjithë e prisnin me shumë ankth. Papritur, të gjithë u zhgënjyen nga vendimi që dha luani. Ai gjykoi burgosjen e ujkut me një muaj heqje lirie dhe pafajësinë e gomarit.

Duke e refuzuar vendimin, ujku tha: Zotëria im, a nuk është e jeshile ngjyra e barit? – Po! -, ia ktheu luani.

– Po pse më gjykove në këtë mënyrë, meqë nuk kam gabuar dhe kam thënë të drejtën?

– Është e vërtetë se, nuk ke gabuar në gjykimin dhe fjalën tënde, por gabimi yt është se, debatove me gomarin në një çështje si kjo! Prandaj, dhashë vendim të burgosesh, që të zësh mend dhe, herë tjetër mos të debatosh me atë që nuk kupton, që nuk reflekton dhe që nuk është i denjë për debat!, – tha luani.”

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari