O më e Lashta Shtëpi e Teuhidit..!

Malli për ty nuk ka emër, harfet e gjuhëve tona se përshkruajnë dot madhështinë tënde, aq sa mund të përkufizohet cilësimi që të ka bërë Vetë Zoti i gjithësisë: “Mubareken”… Nga larg ti je kibla, nga afër, ti je ti, vetëm kaq..! Pranë teje njerëzit luten, o Shtëpi e Lashtë e adhurimit, bri teje Zotin thërrasin, Vetëm prej Tij kërkojnë, teksa me Esmaul-Husna-të mbulojnë pamjen tënde me nur dhikresh e lot zemrash, që Të Vetmin thërrasin pa ndërprerje…

Pranë teje bota humbet, shkrihet në tavafet e vrullshme plot dinamikë besimi, tretet në meditimet rreth madhështisë së Krijuesit, faljes e mëshirës së Tij, krenarisë së qenies musliman, shenjtërisë së YMMETIT islam, madhështisë së dhuruar për shekuj, optimizmit për rizgjimin dhe rimëkëmbjen e pakthyeshme…

Pranë teje, nuk ka forcë në botë që ndalon gjallërinë e zgjimit, shpresën e kthimit tek forca dhe krenaria e shekujve, që lidhin emrin tënd me atë të ndërtuesve të tu… Aty, pranë teje, ndjehet fryma e shkeljeve të tyre mbi tokën tënde, teksa punojnë për ta zbukuruar tokën e Zotit me Shtëpinë e Tij, o më e Lashta Shtëpi e Teuhidit..!

Aty, Hz. Ibrahimi, Hz. Ismaili e Hz. Muhammedi (paqja e All-llahut qoftë mbi ta), luten për Dritën që mban ndezur diellin e kësaj bote, ndërmjetësojnë pa pushim për ymmetin e Hakut, luten për të ardhmen dhe dëshmojnë feksimin e saj vezullues nëpërmjet sekreteve të ajetit: “All-llahu është Dritë e qiejve dhe e tokës”..!

Aty, në prehërin tënd, dëgjoj zhurmat e shumë fëmijëve të qeshur nga vende të ndryshme të botës. E ndjej se aty është Salahudin Ejubi, Mehmet Fatihu, Selman Farisiu, Temim Dariu, Omer ibnul-Hattabi, Hadixhe Kubraja, Aishe Siddika, Um Seleme Fisnikja, e plot të tjerë, të gjithë aty janë, aty mëkohen e aty frymojnë për t’u rritur në gjurmët e më të mëdhenjve të njerëzimit, për t’ia kthyer YMMETIT lavdinë, dinjitetin e krenarinë e, botës, garancinë e jetës plot dritë hyjnore..! Aty janë, në gumëzhitjen e formimit të tyre për të ardhmen e afërt që i pret me padurim…

Malli për ty nuk ka emër.., ndërsa ti, me madhështinë që të ka dhënë Zoti, vazhdon të përkundësh në prehrin tënd zemrat e penduara, që me dritën e besëlidhjes islame, shohin të ardhmen e lavdishme në madhështinë e thirrjeve: “E All-llahut është krenaria, e të Dërguarit të tij dhe e besimtarëve…”

Imam Muhamed B. Sytari
Mekë, më 5 shtator 2016