– “Jam bërë musliman në Itali!”-, i thoshte sot, njëri prej djemve të rinj të grupit të madh të haxhilerëve shqiptarë, murshidit të tij… Po mundohej t’i tregonte rrugëtimin e tij drejt Islamit dhe arsyet e pranimit të fesë së tij…
– “Jam bërë musliman në Greqi!”-, kujtoj se më tha njëri prej të rinjve, (me të cilët po kryejmë së bashku ritualet e haxhit të sivjetshëm), teksa po flisnim rreth temave të besimit, fesë, adhuri it e haxhit. Në vetvete, ai është shumë korrekt me kryerjen e ritualeve dhe adhurimeve të përditshme, këtu në Bejtul-Haram. Ndonëse vjen nga një trashëgimi fetare joislame, shqiptari i ri me fytyrë të zbukuruar nga shenjat e sexhdes dhe kënaqësisë së udhëzimit, duket se e ka gjetur më në fund rrugën drejt plotësimit…
– “E kam lidhur krahun se, kam një tatuazh të madh!”-, më tregoi njëri prej të rinjve tanë, teksa e pyeta për shkakun e fashimit. I vinte turp të falej me atë shenjë, që me siguri i kujtonte ndonjë nga momentet e hutura, nëpër të cilat kalojnë shumë të rinj shqiptarë, por jo vetëm, në në një kohë të caktuar të adoleshencës…
– Diku, në terracën e Xhamisë së Haremit, u takova me një komshi timin të vjetër e bashkëmoshatar, me të cilin me lidh Shkodra e shumë personazhe të saj, kujtime e momente të këndshme nga ditët e kaluara… Sot, ai është një ndër këngëtarët më të mirë të vendit… Ishte tejmbushur nga emocionet e pamjeve të mrekullueshme të turmave të panumërta, që bënin tavaf përreth Qabes… Mezi fliste, ndërkohë një nur i bukur ia kishte zbukuruar edhe më shumë fytyrën, ku sytë flisnin nëpërmjet shkëndijave të mallit dhe emocioneve të dëshmisë së këtij momenti fatlum… “Është e papërshkrueshme ajo që ndjej në këto momente…”, thoshte, duke e shoqëruar dëshminë me një buzëqeshje të mallëngjyer…
– Po vështroja tavafin nga njëri prej balkoneve të terracës. Një nanë plakë, prej atyre që në Shkodër u thuhet: “Sojnike”, u afrua dhe, teksa shihte atë pamje mahnitëse, nisi të qante e të lutej me zë… U largova, sepse nuk dëshirova të jem dëshmitar i fjalëve të saj, me të cilat po i drejtohej Krijuesit të gjithësisë, në një nga shfaqjet më të papërshkrueshme, që kishin parë sytë e saj gjatë një jete të tërë… “Falemnders, o i Madhi Zot…”, tha, me një zë të dridhur…
E lashë në privatësinë e saj, plakën e urtë dhe, teksa vështroja përreth, kisha krijuar bindjen se një fortunë ashku kishte përfshirë zemrën e saj në ato momente fatlume të jetës së saj…
– “Ky vend ka diçka të pathënë. Nuk ka përshkrim për të përkufizuar madhështinë e tij!”-, thoshte një nga pjestarët e grupit tonë, që në jetën e tij ka shëtitur gjithandej nëpër botë, nga Amerika në Palestinë…
Kjo është historia e udhëzimit dhe e bukurisë së Islamit, që prek zemrat e njerëzve, pa dallim moshe, race e pozite, që depërton thellë në ndergjegje, duke dhuruar emocione e dëshmi të mrekullueshme të faktit se, udhëzimi është në dorën e Krijuesit të vetëm e të vërtetë, Atij që urdhëron: “Atë që e udhëzon All-llahu, nuk ka kush ta devijojë!”…
Imam Muhamed B. Sytari
Mekë, më 6 shtator 2016