Sonte, në tavafet e kësaj nate të dëshmuar, më tërhoqi vëmendjen prania e disa grupeve nga vende të ndryshme afrikane, si: Çadi, Mali, Nigeria, Bregu i Fildishtë etj. Në mesin e asaj pranie të stërmadhe njerëzish nga çdo kulturë e sistem, natyrshëm, grupet afrikane nuk përbëjnë një mumër të madh. Por, ajo që më tërhoqi të shkruaj këto rreshta është një detaj jo pak i rëndësishëm nga jeta e tyre, ndoshta më i rëndësishmi!?
Nga pamja e parë e tyre, e kupton fare lehtë se ata janë njerëz të shtypur, të skllavëruar, të grabitur, të vjedhur, të rreckosur e të dhunuar në liritë e tyre dhe pasuritë natyrore që Zoti i gjithësisë u ka dhënë vendeve të tyre. Këto pasuri grabiten sistematikisht nga ligjëruesit e demokracisë, lirive dhe ruajtjes së paqes në botë!? Pasuritë e tyre shkojnë larg, teksa ata ngelen të skllavëruar, të varfëruar, nevojtarë të kafshatës, teksa punojnë për të mxjerrë pasuritë e tyre legjitime për “mbrojtësit e demokracisë dhe lirive në botë”!..
Dhe, teksa përpëlitesha në këto mendime, një mesoburrë, diku afër meje në tavaf, lutej me zë të lartë: “O Zot çliroje Palestinën…”, teksa një zë fëminor thërriste: “Amin!”… Ai zë tërhoqi vëmendjen e shumëkujt në atë rreth, aq sa të gjithë nisëm të përsërisnim me të: “Amin!”…
Ata nuk ishin arabë, (a kështu m’u bë)… M’u kujtua se, edhe Salahudin Ejjubi nuk ishte arab dhe, shpresova që ai djalë të jetë Salahudini i kohës së tij…
Pastaj, qëlloi të takohem rastësisht me një të ri nga Halebi i Sirisë… Dukej se kishte kaluar brenga e halle në të shkuarën e tij të afërt… “Na e kanë shkatërruar shtëpinë, pasuritë krejt..!”-, tha me gjysëm zëri… Sërish m’u kujtuan “mbrojtësit e demokracive dhe lirive” në botë… Dhe, vetëtimthi më erdhi ndër mend ajeti kur’anor: “Mos mendo se, All-llahu është i hutuar ndaj asaj që bëjnë zullumqarët…”
Ky ajet më shfaqej parasysh, saherë kaloja pranë njerëzve të mirë, thatimët afrikanë, pamja e të cilëve dëshmon dhimbje e vuajtje, fytyrat e tyre paqe e dlirësi shpirti…
Imam Muhamed B. Sytari
Mekë, më 7 shtator 2016