Bota e tavafit është univers i madh, ku vlerat dhe cilësitë më të spikatura humane derdhen si balsam begatues mbi krejt të pranishmit, duke u përzier nuancat e tyre me njëra-tjetrën, duke formuar kështu një mega atmosferë shpirtërore, ku të gjithë bëhen një dhe, YMMETI merr kuptimet më sublime të madhështisë së tij.
Nga këtu, sot kam dëshirë të shpreh një vlerësim dhe respekt të madh, për krejt personazhet e përzgjedhur të shënimeve të mia të këtyre ditëve, duke nisur me nanat e moshuara, gratë fisnike, që në dobësinë e moshës, nuk kursejnë asgjë për t’u dëshmuar në rreshtin e parë, shoqëruara me lotin e zemrës dhe lutjet prindërore në më të mirin vend!
Realisht, mosha e tretë janë dëshmia më e madhe e shpirtit të gjallë islam shqiptar, që formëson në brendësinë e secilit, tiparet karakteristike të identitetit shekullor islam të kombit tim, përtej servilizmit ekstrem dhe hipokrizisë antikombëtar të qeverive tona dhe institucioneve lokale të 26 viteve të fundit, që kanë luajtur me ekuilibrat fetarë dhe me të shumta lojra të ulëta në nivel kombëtar e botëror, në dëm të pjesës madhore të ç’ekuilibruar të kombit; muslimanëve, edhe me mbështetjen e misionarëve të medias shpirtshitur dhe të vegjëlve kalemthyer!?
Pastaj, dua të lutem me zemër e të shpreh falënderimet më të pastra për numrin e madh të të rinjve shqiptarë, që zbukurojnë tavafet me gjallërinë e tyre, shenjat e përkushtimit dhe shpirtin e edukatës dhe moralit islam. Ata, pa folur e pa komunikuar me njeri, rrezatojnë paqe e virtyte të papërshkrueshme, duke u bërë njëkohësisht ambasadorë rrobëbardhë e zemërbardhë të Shqipërisë muslimane!
Sa më shijon këmbimi i gotave me ujë zemzemi në mesin e muslimanëve me kombësi nga më të larmishmet e globit, teksa me buzëqeshje dhe me fjalën sekrete: “Haxhi”, dhurojnë mirësi e vlera sadekaje, që në peshoret e ditës së gjykimit peshojnë rëndë, shumë rëndë… Çdoherë që dëshmoj këtë shfaqje të mrekullueshme besimi, mbushem me frymë dhe lutem me mirënjohje për ta. Veprimi i tyre, krejt i thjeshtë në pamje të parë, është abc-ja e rimëkëmbjes së YMMETIT dhe pakthyeshmëria e rizgjimit të madh të premtuar në tekstet e shenjta!
Bota e tavafit është univers i madh, ku vlerat dhe cilësitë më të spikatura humane derdhen si balsam begatues mbi krejt të pranishmit, duke u përzier nuancat e tyre me njëra-tjetrën, duke formuar kështu një mega atmosferë shpirtërore, ku të gjithë bëhen një dhe, YMMETI merr kuptimet më sublime të madhështisë së tij.
Sot, pata dëshirë të ndalem në këto tre detaje…
Imam Muhamed B. Sytari
Mekë, më 8 shtator 2016