Emocionet e faljes së namazit të sabahut me xhemat, sot përballë Gurit të Qabes, ishin një bekim i madh për mua, që po shijoja çdo harf prej harfeve të ajeteve, që imami po këndonte me një mjeshtri dhe ëmbëlsi për të mos u harruar…
Ishte prej atyre këndimeve, që ke dëshirë të mos kenë të sosur… Ishte një ëmbëlsi, që të dhuronte përjetime të jashtëzakonshme mirazhesh në kuptimet e ajeteve të kënduara me përsosmëri…
Në rekatin e parë, ajete teuhidi të mbushura me madhështinë e emrit të madhëruar “All-llah” dhe një shumësie prej Emrave të Bukur të Tij. Para duarve të këtij emocioni, ndjehesh pa limit, pa lidhje me tokën, me “ligjet e fizikës” dhe ato të gravitetit. Edhe frymëmarrje nis e kthehet në një ofshamë e brendshme, si të ishte lutje e stërgjatur e zemrës… Sytë nuk shohin më ngjyrat e format e kësaj bote, i kaplon një prekje e nxehtë lotësh, që u dhuron mirësi mirazhesh në kuptimet e begata të çdo fjale prej fjalëve të atyre ajeteve… Gjymtyrët nuk ndjehen më, thjeshtë i dorëzohen afshama e të brendshme dhe në ritmin e tyre pulsojnë mallëngjim e dashni…
Ndërkohë në rekatin e dytë, imami trokiti në dyert e ajeteve që lidhen me Hz. Isain (a.s). (Në fakt, i dërguari i parafundit përmendet në shumë vende në Kur’an). Ishte një thirrje, që lidh të sotmen me të shkuarën e largët, por edhe me të ardhmen… Ajete që flasin për lëngatat e Hz. Isait, të krijuarit pa babë dhe me nanë (Virgjëresha Merjem), me popullin e tij kryeneç; beni israilët…
“O ju që besuat, bëhuni ndihmëtarë të All-llahut, si Isai biri i Merjemes, kur havarijunëve (besimtarëve të vet të sinqertë) u pat thënë: “Kush janë përkrahësit eimi për në rrugën e All-llahut?” Havarijunët i thanë: “Ne jemi ndihmëtarë të rrugës së All-llahut!” E një grup prej beni israilëve besoi, e një grup refuzoi, e Ne, ata që besuan i përkrahëm kundër armikut të tyre dhe ashtu u bënë ngadhënjyes.” – (Kur’ani, Es-Saff: 14)
Është një thirrje madhështore ajo e Hz. Isait (a.s), thirrje që duhet t’ia bëjë vetes së tij çdo besimtar, në çdo kohë, për të ndarë me veten e tij të vërtetën nga e kota, të drejtën nga e padrejta, të shenjtën e saktë nga mashtrimet në emër të Zotit, vullnetin për të ndërtuar me kurajo besimi në jetë nga të jetuarit pa zë, pa djalë, pa mendim, pa veprim, pa zhvillim, pa qytetërim…
Ishte një dëshmi e madhe e forcës së ajeteve kur’anore dhe ndikimit të tyre në jetën tonë… Ishte, si të thuash, një atmosferë, ku të gjithë ftohemi për të zënë një pozicion në jetë; ose përkrahës të besimit, ose kundërshtar i dëshpëruar i tij…
Imam Muhamed B. Sytari
Mekë, më 9 shtator 2016