Kudo në Mina, mbizotëron e bardha. Një pafundësi çadrash të banueshme, që formojnë një panoramë magjepsëse vizatuar me të bardhë. Vetëm e bardha spikat. Burrat veshur me ihram, (dy peshqirë të mëdhenj të bardhë, me të cilët mbulohet gjysma e poshtme e trupit, si dhe krahët dhe gjoksi, në një veshje tipike për ritualet e Haxhit, ku bartësit e tij zhvishen nga çdo rrobë tjetër e jetës së përditshme), përhapen në çdo horizont të pamjes, duke formuar një hapësirë aq të madhe, sa krejt natyrshëm mund ta quash: Qyteti i Bardhë, ose Vendi i të Bardhëve!
Minaja është një zonë e mbushur me episode nga Haxhi i vetëm i Resulull-llahut (a.s), në të cilin pat thënë: “Merrni prej meje ritualet tuaja (të Haxhit)”. Dhe, që nga ai vit dhe ai Haxh, Minaja është stacioni i parë i ritualeve të Haxhit, në prag të shtegëtimit drejt Arefatit, Muzdelifesë e deri në plotësimin e krejt sharteve të adhurimit me të bardha…
Në Mina, (si kudo në Mekë e Medine), ka siguri, aq sa edhe po të mundohem ta përshkruaj s’do ia arrija dhe s’do perceptohej, pa u prekur e jetuar, shijuar e ndjerë!
Tema e sigurisë së “Qytetit të Bardhë”, lidhet me Islamin, me Dashninë e Zotit dhe mrekullinë e besimit. Ky detaj kredo i këtij vendi, më kujtoi një nga derset e dijetarit të shquar të shekullit, Shejkh Ahmed Keftaro, vite të largëta në Damask. Thoshte: “Në Islam nuk ka nevojë për polici, as për burgje, sepse vetë individi musliman karakterizohet nga një sistem vetëkontrolli, që e bën të frenojë ku duhet, por edhe ta pranojë vetë të keqen që ka bërë…”
Fillimisht, kur i kam dëgjuar këto fjalë, kam qenë në dilemë, nëse do e shihja në realitet këtë pohim të Hoxhës, a jo. Dhe, e vërteta është se, pikërisht në Mina dëshmohet kjo përkryerje e moralit dhe ndërgjegjes islame në sjelljen dhe komunikimin e njerëzve me rroba të bardha!
Mendo, janë miliona njerëz nga mbarë bota, nga krejt racat, nga çdo kulturë e traditë, gjuhë e zakon, por që komunikojnë paqësisht në mes vete, pa pasur nevojë për forca rendi, pa pasur frikë nga njëri-tjetri, pa paragjykuar njeri dhe, me një ndjenjë të jashtëzakonshme bamirësie ndaj tjetrit!
Ky është Qyteti i Bardhë, ky është Njeriu me të bardha, (që do ta kishte nder e vlerë çdo vend, t’i kishte qytetarët e tij të tillë), kjo është Minaja e ritualeve të Haxhit të Hz. Muhammedit (a.s)…
Imam Muhamed B. Sytari
Mina (Mekë), më 10 shtator 2016