Kur hedh sytë përreth fushës së madhe të Arefatit, që zbukurohet nga ngjyrat tipike të sahrasë, kodrinat dhe malet me ngjyrë kafe të errët, si dhe bimësia e saj karakteristike, rrethohesh nga një ndjesi e paqtë, që të mbush me flladet e nxehta, (por begatuese), të kësaj zone të veçantë për çdo haxhi.
Gjithandej të zë syri çadra të mbushura me njerëz, që sistemohen për të kaluar ditën më të shenjtë të vitit, në vendin më të shenjtë të botës, në stinën më të shquar të lutjes dhe përgjërimeve…
Edhe çadra e jonë, në zemër të së cilës qëndron flamuri kombëtar, ka marrë pamjen e një vendstrehimi, banorët e të cilit ndjehen lumturisht më fatlumët e krejt botës për këtë vit, për përzgjedhjen hyjnore të pranimit për të dëshmuar Arefatin… Dhe, kanë të drejtë të ndjehen fatlumë, shqiptarët e veshur me ihramin e shekujve të besës me All-llahun…
Dita e madhe e lutjes së vitit nis pas pak. Zatën, ajo ka nisur dhe jehona dëgjohet horizonteve, ku muezinët e shquar turqë mbushin atmosferën me leximet e tyre melodioze, plot melankoli, prekje malli e të mallëngjyerish, teksa i paraprijnë lutjeve dhe dy namazeve të bashkuara, me lexime kur’anore, ilahi e salavate me xhemat…
Arefati është frymëzim. Është ndjesi që s’e përshkruan kurrë si e sa duhet. Përherë ka edhe diçka, që edhe ti vetë e kupton se nuk ke aftësi ta kthesh në shkronja e fjalë, në një përshkrim të mundur, që ngelet sekret i lidhjes me frymën e këtij vendi dhe ëmbëlsinë e tij.
Të gjithë e duan Arefatin. Të gjithë e duan ajrin e tij, flladet e tij, rrezet e diellit dhe nxehtësinë karakteristike të kësaj zone. Të gjithë duan ta shfrytëzojnë maksimalisht qëndrimin në Arefat, që vlen sa kredoja e krejt Haxhit, si adhurim dhe ritual shumëdimensional. Të gjithë e dijnë se, pa qëndruar në fushë-lutjen e Arefatit, nuk ka Haxh. Të gjithë kujtojnë fjalën e ma të Dashtunit (a.s), kur thoshte: “Haxhi është Arefati”, duke sinjalizuar se, pa kaluar në këtë vend, ku lutjet dhe adhurimet janë më të vlefshmet e krejt vitit, Haxhi nuk llogaritet i plotë, për pasojë i mangët dhe i pa kryer! Të gjithë e kanë mësuar dhe e duan këtë fjalë: “El-Haxhxhu Arefe”…
“Më e mira e ditëve është dita e Arefatit…”, transmetohet nga Ma i Miri (a.s)… Dhe, dita nis të lëvizë, në garë me besimtarët që qëndrojnë në çadra e jashtë tyre, duke u lutur e duke bërë dhikër. Dikush ka kryer një hatme Kur’ani dhe po shfrytëzon dobinë e lutjes pas saj… Atje tutje, dikush lexon pa ndërprerje dhikre e lutje të mbledhura nga burimet e tyre… Atmosferë adhurimesh e përgjërimesh, që presin perëndimin e diellit, për të fituar të gjithë së bashku myzhden e faljes së madhe, mëshirës hyjnore dhe pranimit tek Zoti i gjithësisë…
Arefat, aty ku lutja dëshmon bekimet e Zotit për krijesat e Tij…
Arefat, aty ku Zoti mburret me adhuruesit e racës njerëzore…
Imam Muhamed B. Sytari
Arefat (Mekë), më 11 shtator 2016