Muzdelifeja është ndër stacionet më interesante në rrugëtimet e një haxhiu. Pas perëndimit të diellit, ditën e Arefatit, të gjithë barten drejt Muzdelifesë. Kjo zonë nuk ka as çadra, as vendbanime, as hotele, as kabina pushimi. E vetmja gjë, me të cilën përballen haxhilerët në këtë vend, janë kodrinat dhe malet, toka dhe qielli. Po, të gjithë zënë nga një vend, ku do të kalojnë ca orë të natës, deri pas sabahut, që nuk vonon të vijë, sapo perdja të jetë hapur në sytë e diellit…
Është ndjesi e veçantë. Ndoshta është kontakti kolektiv më i madh në botë, i njeriut me tokën-nanë, në prehrin e të cilës, atë natë pushojnë me miliona humanë nga mbarë bota. Gjithandej të zë syri njerëz të shtrirë. Janë të lodhur, pushojnë. Kanë kaluar një ditë për të mos u harruar, janë lutur e janë përmalluar, kanë shpresuar faljen dhe rahmetin e All-llahut, janë pluhurosur e shpupurishur e, tashmë, mbështetur mbi tokën e Muzdelifesë, flenë e pushojnë, duke ripërtërirë forcat dhe energjitë për pjesën e mbetur të Udhëtimit të Jetës…
Muzdelifeja është e ëmbël, mikpritëse, bujare dhe, mbi të gjitha, toka e saj është kaq zemërmadhe, sa asnjeri nuk mbetet jashtë mikpritjes tipike të kësaj nate, që zgjat deri në agim… Agimi i ri do të mbulojë ymmetin islam me pelerinën e Kurban Bajramit, siç nata haxhilerët me aromën e tokës dhe maleve të Muzdelifesë…
Pas pak orësh, dielli do të shfaqet mbi horizonte me tekbire në gojë. Gjithandej, në çdo cep të globit, tekbiret do mbulojnë botën me vellon e së Vërtetës së madhe… Kudo, do të dëshmohet thirrja e shekujve, besa e të parë dhe shpresa e të mramëve, kodi i besimit dhe kredoja e tij: “All-llahu ekber, All-llahu ekber, La ilahe il-lall-llah huvell-llahu ekber All-llahu ekber ve lil-lahil-hamd”…
Do të thirret e do të përsëritet kudo ky himn mbi himne, kjo fjali e shenjtë, sa shenjtëria e vetë fesë dhe besimit, aq sa edhe dielli, edhe hana, edhe malet edhe fusha, edhe uji edhe ajri, do ta bartin mbi supet e tyre madhështinë e saj, si jehona ma e shenjtë e vetë jetës: “All-llahu ekber…”!
Sepse, realisht dhe mbi gjithçka, kjo është e vërteta më e madhe e ekzistencës: All-llahu ekber!
Imam Muhamed B. Sytari
Muzdelife, Mekë, më 12 shtator 2016