Në fjalorin e ritualeve të larmishme të Haxhit, xhemeratet, janë shumësi i fjalës xhemre (xhemretun), që në arabisht ka kuptimet e thëngjillit të ndezur. Me fjalë të tjear, të gjithë haxhilerët do të kalojnë për tre ditë të njëpasnjëshme për të goditur 49 guralecët, simbolikë e dëbimit të shejtanit nga jeta e përditshme.
Në pamje të parë ngjet si veprimi më i parëndësishëm i Haxhit, por në të vërtetë ai mbetet ndër veprimet më kuptimplota në marrëdhënien e njeriut në mes thirrjes hyjnore dhe cytjes djallëzore në jetë.
Goditja e shejtanit me 49 guralecë, bart në vetvete mesazhin e distancimit nga errësira dhe gjynahu, imoraliteti dhe perversiteti në jetë! Ai simbolizon largimin nga haramet dhe shoqëria e tyre, padrejtësia dhe kopracia, hipokrizia dhe nihilizmi, pragmatizmi kameleonesk dhe afetarizmi femohues. Sikurse fton secilin haxhi të lutet me zemër, para fjalëve, që ta shfrytëzojë kohën në afrim me All-llahun e Madhëruar dhe mohimin e shejtanit në jetë.
Sa herë ndodhem përballë kësaj dëshmie madhështore, e pyes veten: A e kemi dëbuar sot, ne muslimanët e mbarë botës, shejtanin nga jeta e jonë, apo ai kuvendon i ulur këmbë përmbi këmbë në shtëpitë tona, në shtetet tona, në pssuritë tona, në mediat tona, në mentalitetin e rinisë sonë, por jo vetëm kaq?!
Shtëpi që s’falet namazi, ku nuk lexohet Kur’ani, ku nuk agjërohet Ramazani, ku privohet dhënia e sadekasë, ku gratë dhe bijat, s’e kanë për turp të nxjerrin në pah hiret, a burrat të hutohen rrugëve nëpër kafene, që cënojnë kalimtarët me shikimi e reagime, ku ndalohet a privohet dhënia e zekatit, ku nënvleftësohet feja a shpiken risi të pakuptimta në mendime, fjalë e vepra, që realisht nuk janë tonat!?
A e kemi gjuajtur shejtanin në Shqipëri, kur krimi dhe droga, hashashi dhe pasiguria, shthurrja dhe imoralieti, krimi në familje dhe divorcet në shtim, drejtuesit pa ujë fytyre, pa moral e pa mëshirë, varfërimi i shoqërisë dhe tallja me moshën e prindërve të shtrenjtë, monopolizimi i pasurive kombëtare dhe keqpërdorimi i medias, por jo vetëm, po e shkatërrojnë përditë e më shumë Shqipërinë e gangrenizuar?!
Kur ne muslimanët, shumica e popullit shqiptar, të mësojmë të marrim përgjegjësitë fetare e kombëtare mbi supe, duke shporrur pa mëshirë e tolerancë shejtanët e njerëzve dhe ata të xhinëve nga realitetet tona, vetëm atëherë do të kemi të drejtë legjitime të themi: “Gjuajtëm shejtanin”!
Përndryshe, do të vazhdojmë të mbetemi folkloristë meskinë e xhahilë gafilë në kohë ushunjëzash pa shpirt, fé e komb..!?
Imam Muhamed B. Sytari
Mekë, më 13 shtator 2016