“Tarik ja Haxh!”…

Përfundimi i gjuajtjes së gurëve të fundit uli siparin e ritualeve të Haxhit të sivjetshëm… Tashmë ka ngelur tavafi i lamtumirës dhe, nisja drejt ma të Dashtunit, malli për të cilin asht i madh…

Subhanallah, sa shpejt kaluan këto ditë, që nga umreja e mbërritjes, qëndrimi në Mina, Arefati, Muzdelifeja, tavafi i haxhit, sa’ji, gurët, shkuarje-ardhjet për në Harem, faljet e namazeve me xhemat, e xhumaja dhe hytbeja e prag-haxhit të sivjetshëm, emocionet e ihramit, lodhja e papërshkrueshme e këtyre ditëve, si një ndjesi jashtëzakonisht e bukur besimi dhe sakrifice, bisedat e kandshme fetare, njihjet e reja, miqtë e ditës së Arefatit, lutjet etj…

Haxhi, si adhurim, ngelet pa dyshim një ndër shkollat më të mëdha të edukimit individual dhe kolektiv të muslimanëve, botërisht.

Mësimet e përftuara nga eksperienca e Haxhit, besoj se janë shkollë jete për këdo, që nuk e konsideron ardhjen në këto toka të shenjta si një udhëtim turistik, paketa e së cilit kushton aq e kaq, ku përfshihen akomodimi në hotel, vaktet ditore, cilësia e shërbimeve etj, etj…

Gjatë këtyre ditëve u bëmë më të afërt me këdo, me të cilët na bashkoi një fjalë: “Haxhi”, ndejat vëllazërore, takimet nëpër autobuze drejt Haremit, gotat e zemzemit, vështrimet e perbashkëta në madhështinë e Qabes së Madhnueshme, lutjet dhe buzëqeshjet në çdo komunikim…

Ditët e Haxhit, janë pa asnjë dyshim eksperienca më e bukur e gjithësecilit, lidhja më e bukur me fenë dhe krenarinë e të jetuarit si musliman, lartësimi më natyral drejt virtytit dhe dinjitetit të adhurimit logjik të Një Zoti të Vetëm, në Shtëpinë e të Cilit, u bashkuam nga mbarë bota si: “Miqtë e All-llahut”, të gjithë të barabartë…

Me përfundimin e gjuajtjes së gurëve të ditës së tretë, u drejtuam nga kibla, disa qindra metra larg nesh… U lutëm, me zemër kërkuam pranim dhe falje, mëshirë dhe bekime për ne, të afërmit, të dashurit, për mbarë Ymmetin islam…

Dhe, teksa ktheheshim për në hotel, mendimet po bëheshin gati të rreshtoheshin për t’u shkruar në këtë ditar kujtimesh dhe shënimesh të përditshme, kur… Krejt papritur, zëri i një polici shërbimi, ndërpreu ritmin e tyre, teksa thërriste atë fjali aq të dashur për ne, himnin e përditshëm të qëndrimit në Mekë: “Tarik ja Haxh!”…

Ktheva kokën, buzëqesha dhe u luta me zemër që All-llahu të na e ketë pranuar Haxhin e sivjetshëm…

All-llahumme amin!

Imam Muhamed B. Sytari
Mekë, më 14 shtator 2016