Pasmesnata, që i parapriu ditës së sotme, ishte pa asnjë dyshim, më e dashura dhe më e paharruara pasmesnatë e ditëve të Haxhit të sivjetshëm për mua. Ndoshta, e tejkalon edhe kufirin e krejt këtij udhëtimi të mrekullueshëm në botën e adhurimit, teuhidit, mallit e dashnisë, ku Zoti dhe simbolikat e shenjta e të shtrenjta të fesë sime, ishin dhe mbetën pikësynim mbi çdo qëllim tjetër…
Kjo pasmesnatë e begatë, meritoi një vend të pashlyer në memorien e kujtimeve që ia vlen të gdhenden në brendësi të zemrës, si gjurmë-kredo, që njeriut ia zbukurojnë jetën, sa herë i kthehet, sikurse e ndihmojnë për të vendosur ekuilibra, sa herë ato lëkunden në jetë…
Këtë pasmesnatë, bashkë me ca të dashur, u nisëm drejt Malit Nur, drejt shpellës Hira… Për të parën herë në jetën time…
Disa herë më parë e kisha menduar ta vizitoj këtë vend dhe, sa herë kthehesha në Shkodër pa e vizituar, ndjeja se diçka mungonte për ta quajtur udhëtimin tim të plotë!
Vendi drejt shkallëve të para të gurta, rrëzë malit, ishte shumë i thepisur. Ngjitja deri aty ishte e vështirë dhe e lodhshme. Më pas, shkallët, (mbi një mijë të tilla, deri në destinacionin përfundimtar), ishin të çrregullta, por shumë të dobishme në ndihmë të vizitorëve…
Një tabelë e madhe e shkruar në arabisht, turqisht, urdu e anglisht, (nuk e kujtoj nëse ishte edhe në ndonjë gjuhë tjetër), tregonte se kjo vizitë nuk ka lidhje as me haxhin, as me saktësinë e tij, sikurse shpjegonte e shpjegonte gjëra të ndryshme, si për të thënë: “Mos e vizitoni këtë vend!”..!?
Natyrshëm, ky lloj mentaliteti në raport me këto vende dhe përshpirtjen që ato krijojnë, është temë që nuk befason më në këtë vend, prandaj, pasi e pashë me habi, buzëqesha dhe vazhdova rrugën drejt malit…
Kisha shumë dëshirë të madhe ta prek nga afër rrugëtimin e lodhshëm të Hz. Muhammedit (a.s), 15 shekuj më parë, teksa ngjitej drejt Hirasë, jo me lehtësinë e sotme, për të qëndruar në vetmi, në meditim e adhurim, derisa një ditë…
Dëshiroja shumë të ndjeja për çdo hap, frymën e malit, aromën e tij, shijen e flladeve të buta që fryenin me qetësi, si për t’ia ruajtur natës privatësinë e saj me sekretet e shekujve mbi malin e Dritës dhe shpellën e Udhëzimit…
Nata me ngjyrat e saj, shoqëruar nga Hana, thuajse 15 ditëshe, ia shtonin prezencën Malit… Sa herë ngrija kokën drejt tij, edhe më madhështor dukej, por shumë i paqtë e mikpritës. Sikur ndjente mall, a malli ishte strukur në çdo të çarë të tij, duke u lutur në “Hiranë” e vet, larg botës dhe dritave të rreme të saj…
Aty-këtu shfaqej ndonjë mace e vogël. Mali kishte plot të tilla deri në lartësinë e tij kufitare. Se kuptova se ç’bënin aty, por ishin më familjare e miqësore se krejt macet e botës… Ndonjëra prej tyre ishte etur aq shumë, sa u rehatua mirë pas një gjysëm gote me ujë, që dikush nga ne ia ofroi me shumë dashamirësi…
Rruga drejt Hirasë është e lodhshme. Pa disa ndalesa, është e pamundur të mbërrish tek vendi i shumëdëshiruar… Sa më shumë ngjiteshim, aq më miqësore dukej Hana. Edhe më shumë ndriçonte, si të ishte një torçë udhëzimi, ndonëse zemra e njihte rrugën pa pasur nevojë për dritën e saj…
Ngjitesha dhe përfytyroja Resulull-llahun (a.s) duke u ngjitur. Hapat shoqëroheshin me salavate, që dukej se në këtë mal kishin shtëpinë. Edhe mali dukej se binte salavat në heshtje, teksa shfaqej përherë e më madhështor, i papërshkrueshëm, krenar e kryelartë, ndonëse ndjehej se zemra e tij rrihte ëmbëlsisht dashni për Ma të Dashtunin… Ende i kërkonte hapat e tij…
Pas rreth një ore mbërritëm në majën më të lartë, pas së cilës, duhej të zbrisnim edhe dhjetra shkallë të ngushta për të mbërritur tek shpella…
Përballja e parë me Hiranë ishte emocion i madh, prej atyre që nuk do dëshiroje t’i rrëfeje asnjëherë. Prej atyre, që të bën mirë t’i mbash për vete…
Fillimisht hyrja drejt vendadhurimit, kalonte nëpërmjet dy shtigjeve shumë të ngushta në mesin e shkëmbinjve të mëdhenj. Por, me t’u kaluar ai prag, pjesa tjetër ta harronte botën me krejt shtigjet e saj, rrugëtimet e zigzaget e panumërta, nëpër të cilat shpesh hymë, pa e ditur se ku do të dalim…
U mbusha me frymë dhe energji shekujsh, teksa dërgoja salavate dhe merrja frymë thellë, se mos ata gurë të stërmëdhenj e shkëmbinj fatlumë, kishin ruajtur në brendësinë e tyre sadopak nga amberi, misku a jasemina e duarve të Zotërisë së bijve të Ademit… Dhe, në fakt, kudo ndjehej një parfum, si shije flladi, që na rrethonte butësisht me ëmbëlsinë e mikpritjes…
…
Në këtë vend, 15 shekuj më parë, botës iu shpall Shpëtimtari i fundit, hallka e fundit e zinxhirit të Ma të Mirëve, lutja e Hz. Ibrahimit, sihariqi i Hz. Isait, më i vogli i tyre, por më i madhi absolutisht…
15 shekuj më parë, fjala “Lexo” mbuloi horizontet dhe, urdhëri hyjnor që e vendoste dijen mbi piedestalet e zhvillimeve njerëzore, u bë fé, u bë Islam, u bë YMMET I QYTETËRIMIT, u kthye në burim shprese për njerëzimin deri në kiamet…
Nga ai vend, nga ajo zgavër në mes shkëmbinjsh të thepisur, 15 shekuj më parë, botës iu dhurua sekreti më i madh i dashnisë hyjnore, që njeriu të jetojë krenar, me dinjitet, i vlerësuar si krijesë, i sigurtë, në mirëqenie, i përulur para Zotit të tij, që e mësoi të lutej: “Dhe thuaj: Zoti im, ma shto mua diturinë!”…
Dhe, nga ajo ditë, Hiraja mbeti gjurmë Drite, si vetë Mali Nur… dhe, Mali Nur, u kthye në një gjurmë të madhe, të heshtur e fisnike, prej majes më të lartë të cilit, në thellësitë e shekujve, një burrë rreth të dyzetave, lutej në heshtje dhe adhuronte të Vetmin Zot, ndërsa bashkëshortja e tij fisnike, vinte në heshtje t’i sillte ushqim e ta linte sërish në krahët e lutjes… Ato ditë, ai mall, ajo sakrificë, ato lutje e ai veçim me Zotin, ishin shkëndijat e para të garancisë hyjnore për racën njerëzore, që nisi të formësohej, kur zbriti ajeti kur’anor: “Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhammed), vetëm se, mëshirë për mbarë botët!”…
Në Hira, aty ku shkëmbinjtë ruajnë aromën e miskut Tënd..!
Imam Muhamed B. Sytari
Hira, Mekë, 15 shtator 2016